Profesor Ardian Muhaj, një nga njohësit e mirë të zhvillimeve të politikës, kryesisht në PD, i ftuar në “Opinion” në News24, u shpreh se tashmë kemi një proces pasgjedhor po aq të rëndësishëm, teksa duhet të bëhet transparenca e votës, pasi është e qartë se vullneti i popullit nuk është shprehur siç duhet.
Sipas Muhajt, PD është aktive dhe konkrete në këtë fushatë paszgjedhore, ndryshe nga partitë e tjera, që edhe pse shajnë sistemin, nuk reklamojnë rezultatin.
“Kemi një dëshmitar konkret në studio (Aulon Kalaja) se si u tjetërsua vota. Është turp që në kohën e Inteligjencës Artificiale të numërohen votat për më shumë se një javë dhe ende nuk kemi certifikim.
Tani duket se kemi një fushatë pas zgjedhore, një betejë e re dhe thelbësore. Sistemi praktikisht nuk funksionon, pasi ka shumë kontestime. Reklamime konkrete që nuk ekzistojnë në vende të tjera.
PD është aktive me reklamimet dhe kontestime, ndërsa partitë e vogla i shoh të tërhequra. Thonë që është vetëm faji i sistemit, por duken të kënaqur. Ku janë të tjerët që kanë humbur?
Vota e demokratëve nuk mund të lexohet pa përfunduar procesi i transparencës së votës, pasi janë tjetërsuar shumë vota. Listat e hapura treguan se disa kandidatë të PD kishin mbështetje të madhe në zona të caktuara. Numërimi ka një reklamim tjetër, që mund të ketë rezultate të tjera. Pra, nëse nuk jemi në BE, zgjedhjet janë një nga ato ku çalojmë. Zgjedhjet nuk shprehin totalisht vullnetin e popullit” – u shpreh Ardian Muhaj.
()