Punimet që po kryhen së fundmi në burgun famëkeq të Spaçit kanë ngjallur reagime nga shoqatat e të përndjekurve politikë.
Besim Ndregjoni, kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve, ka denoncuar ndërhyrjet si një akt që cenon rëndë autenticitetin historik të këtij vendi simbol të qëndresës antikomuniste. Ai i ka cilësuar riparimet, përfshirë suvatimin, si një “masakër” mbi kujtesën kolektive, duke kërkuar që çdo ndërhyrje të bëhet në përputhje me origjinalitetin e Spaçit dhe statusin e tij si monument kulture.
Besim Ndregjoni, kreu i Shoqatës të të Përndjekurve: Po masakrohen vendet e kujtesës për përfitime. Këtë vend të shenjtë nuk mund ta shkelësh, këtë Aushvic shqiptar. Më 2007, Spaçi u shpall monument kulture i dorës së dytë që të ruhet. Ne duam që burgu të kthehet në muze. Ne duam që të respektohet qëndresa dhe rezistenca.
Riparimet po bëhen për një film. Suvatimi nuk duhej bërë, se ky savatim është sot në burgjet shqiptare e jo në kohën e burgut të Spaçit. Punimet duhet të bëhen me origjinalitetin e Spaçit. Burgu i Spaçit është vizituar nga turistë të huaj dhe nuk është vizituar nga politikanët tanë. Është tjetërsuar edhe burgu i Burrelit barbarisht. Të ndalen punimet dhe restaurimi të bëhet në bazë të rrëfimeve reale.