Përpjekjet për të ndihmuar një të moshuar të paralizuar me parkinson nga Lushnja marrin një kthesë të papritur, pasi familjarët refuzojnë shtrimin në spital, pavarësisht se ndihma ishte e garantuar.
Pas ankesës publike të djemve të Shaban Dedej nga fshati Konjat i Lushnjës, i cili vuan prej pesë vitesh nga sëmundja e avancuar e Parkinsonit, emisioni “Tak Fak” ndërhyri për të ndihmuar në marrjen e shërbimeve shëndetësore që i takojnë këtij rasti.
Gazetarja Anxhela Gjiriti kontaktoi drejtorin e spitalit rajonal të Lushnjës, Roland Ziu, i cili në fillim hezitoi të prononcohej para kamerës dhe të jepte mbështetje.
Pas këmbënguljes së gazetares, drejtori u angazhua të dërgonte një ekip mjekësor në fshatin Konjat, bashkë me një mjek neurolog dhe ambulancë për të vizituar pacientin.
Në vizitën e realizuar nga mjeku neurolog Besmir Nezha, u konstatua se gjendja e pacientit ishte e rëndë dhe kërkonte një vlerësim të mëtejshëm në një spital terciar, si QSUT apo Spitali Memorial në Fier.
“Pacienti është në një fazë të avancuar të parkinsonit. Rekomandohet shtrimi në një spital terciar për të vijuar me ekzaminimet dhe procedurat për përfitimin e kujdestarisë”, – tha mjeku Nezha.
Falë ndërhyrjes së emisionit “Tak Fak”, u sigurua mbështetja nga Ministria e Shëndetësisë për shtrimin e Shaban Dedej në QSUT, për të ndjekur protokollet mjekësore dhe ligjore që do t’i mundësonin familjes përfitimin e kujdestarisë.
Por, në momentin kur mjekët e repartit të neurologjisë në QSUT vendosën që pacienti duhet të shtrohej për disa ditë për vizita të thelluara, ndodhi e papritura: djemtë e Shaban Dedej refuzuan ta lënë babain në spital, me arsyetimin se nuk mund të qëndronte i vetëm.
Ky episod hedh dritë mbi një fenomen të përhapur në Shqipëri, ku ndihma ofrohet, por në disa raste familjarët nuk e pranojnë, qoftë për mungesë informacioni, qoftë për arsye personale apo shoqërore.
()