Debati për ndërhyrje në ish-burgun e Spaçit, ministri Gonxhja: Ja si do të bëhet restaurimi. Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Instagram për debatin publik dhe shqetësimet e ngritura lidhur me ndërhyrjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit – një vend simbol i kujtesës historike të dhunës komuniste.

Në postimin e tij, ministri Gonxhja thekson se pamjet nga Spaçi provojnë qartë se bëhet fjalë për punime konservuese dhe jo ndërtime të pakontrolluara apo të paligjshme, siç është interpretuar në disa media dhe rrjete sociale.

“Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe e tarracës mbi to. As nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt apo kontratë”, shkruan ministri.

Ai sqaroi gjithashtu se elementë të tjerë si një kullë metalike, një fragment rrethimi, një portë dhe një pjesë kangjellash, që janë përfshirë në kontratë, do të realizohen vetëm pas një procesi të detajuar dokumentimi historik dhe do të jenë të çmontueshme, në përputhje me Planin e Menaxhimit të vendit dhe me respekt të plotë për trashëgiminë kulturore.

“Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim. Sqarimi i MEKI ka qenë shterues dhe po ashtu masat nga IKTK”, thekson më tej Gonxhja.

Në fund të reagimit të tij, ministri u kërkoi ndjesë publike qytetarëve të shqetësuar nga pamjet e para të punimeve, duke garantuar se çdo ndërhyrje është dhe do të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të projektit të miratuar.

Ish-burgu i Spaçit, simbol i persekutimit politik gjatë regjimit komunist në Shqipëri, është një nga vendet më të ndjeshme në memorien kolektive të vendit dhe çdo ndërhyrje në këtë objekt ngjall vëmendje dhe reagime të forta në opinionin publik.

Postimi i plotë:
Duke i uruar të gjithëve një fundjavë të mbarë, nisur nga disa debate që vijojnë edhe në mediume publike e rrjete sociale, shpresoj se pamjet nga Spaçi provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese. ✔️

Mbi disa pikëpyetje shtesë:
Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë!
Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik).
Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim.

Sqarimi i MEKI ka qenë shterrues dhe poashtu masat nga IKTK.

Faleminderit për mirëkuptimin tërë të interesuarve që me të drejtë u alarmuan nga dy foto të punimeve fillestare. Ndjesë për shqetësimin, edhe pse në çdo rast zbatimi do të respektonte projektin dhe kushtet e kontratës!


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×