Keqardhje pafund për një “X” pa gola ndaj Serbisë, një rezultat që i ngushtë “shqiponjave”. Kjo ishte një ndeshje që pa diskutim Shqipëria e meritonte ta fitonte për atë që dha në fushë, krijuan 10 raste, goditëm 4 herë kuadratin, humbëm dhe një 11-metërsh, por fati këtë herë braktisi kuqezinjtë e Sylvinho-s që zhvilluan një ndeshje thuajse perfekte ndaj rivalit të përjetshëm, Serbisë, i mungoi vetëm goli.
Sylvinho befasoi këtë herë duke guxuar, hodhi një ekip sulmues, me dyshen Broja-Manaj nga minuta e parë. Hysaj u rikthye në formacion dhe ishte pikërisht anësori kuqezi që fitoi një 11-metërsh në fundin e pjesës së parë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Rey Manaj gaboi në mënyrë flagrante duke gjuajtur keq, me portierin që i kuptoi krahun. Ky ishte një shans i artë i shpërdoruar që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin final të këtij takimi, kjo pasi Serbia bëri pak ose aspak për të fituar këtë takim, ishte e qartë që kishin ardhur në Tiranë për të mos humbur.
Shpërthimet e Brojës ndezën në disa momente stadiumin, por vetëm kaq, pa mundur të gjejnë prekjen fituese. Sylvinho provoi në çdo formë të fitonte këtë takim, hodhi në fushë lojtarë si Daku, Uzuni e Bajrami, por nuk ishte e thënë që të fitonim mbase ndeshjen më të rëndësishme të dekadës së fundit.
Përtej lojës së mirë, fakt është që lamë dy pike jetike për të synuar objektivin Botëror, tani jemi të detyruar të fitojmë të gjithë ndeshjet ndaj ekipeve të vogla, duke nisur nga sfida e radhës me Letoninë, gjithashtu duhet të paktën të dalim të pamposhtur nga sfida e kthimit kundër Serbisë.
Pavarësisht “X”, presidenti Duka përgëzoi ekipit për lojën: “Një ndeshje e bukur, që mund ta kishim fituar. Barazojmë 0-0 me Serbinë dhe ajo që na motivon më së shumti për të ardhmen është loja e bërë, vetëbesimi i lojtarëve, autoriteti i tyre në fushë”, u shpreh ndër të tjera Duka në reagimin e tij në rrjetet sociale.
()