Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të dalë sot në orën 14:00 para Gjykatës së Apelit të Posaçëm me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Përmes avokatëve të tij, Veliaj kërkon një masë më të butë sigurie, ndërsa seanca do të zhvillohet nën drejtimin e gjyqtarit Engert Pëllumbi.
Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit prej 10 shkurtit, pas arrestimit me urdhër të SPAK, nën akuzat për korrupsion pasiv në nëntë episode dhe pastrim parash. Deri tani, përpjekjet e tij për të dalë nga paraburgimi kanë dështuar.
Seanca e sotme vjen pas ankimit të vendimit të 23 prillit, kur gjyqtari Erion Bani vendosi të mbajë në fuqi masën e arrestit, duke u bazuar në raportin e përditësuar të SPAK mbi vijimin e hetimeve. Avokatët e Veliajt pretendojnë se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen në burg dhe kërkojnë lirimin e tij.
Ndërkohë, një rekurs i veçantë është dërguar edhe në Gjykatën e Lartë, ku pritet shqyrtimi i masës së sigurisë. Deri tani nuk është caktuar data apo trupa gjykuese që do merret me çështjen.