Shërbimet e Policisë Rrugore në kryeqytet kanë vijuar kontrollet intensive për të parandaluar aksidentet dhe për të përmirësuar sigurinë rrugore. Me patrulla shtesë dhe mjete teknologjike moderne, strukturat e Komisariatit të Policisë Rrugore kanë ndërmarrë një sërë masash ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit.
Gjatë javës që lamë pas, 39 shtetas janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa 22 prej tyre janë arrestuar. Në të njëjtën periudhë janë bllokuar 29 automjete për shkelje të ndryshme.
Një vëmendje e veçantë u kushtua drejtuesve të motomjeteve që udhëtojnë pa kaskë mbrojtëse, ku janë vendosur plot 987 masa administrative.
Po ashtu, Policia ka ndërhyrë për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme nga automjete të parkuara gabim në korsitë e autobusëve, taksive dhe biçikletave, duke larguar me mjet ngritës 29 automjete.