Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Çermë Sektor, njësia administrative Tërbuf, bashkia Divjakë, ku një person është plagosur me thikë. I plagosuri është Ferit Balliu, rreth 65 vjeç, banues në këtë zonë, i cili aktualisht ndodhet në repartin e reanimacionit të spitalit të Lushnjës nën kujdesin e mjekëve.
Autori i dyshuar i plagosjes është shtetasi Lulzim Muça, 44 vjeç, banues në Çermë të Sipërme. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i krimit, por është identifikuar dhe më pas kapur nga forcat e policisë.
Ende nuk janë bërë të ditura motivet e konfliktit mes autorit dhe viktimës. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Divjakë/Informacion paraprak
Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, kapet dhe shoqërohet 44-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për një konflikt ndërmjet dy shtetasve, në fshatin Çermë-Sektor, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit L. M., 44 vjeç, banues në Çermë-Proshkë.
Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se rreth orës 14:00, 44-vjeçari, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin F. B., 64 vjeç, banues në Çermë-Sektor, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
U sekuestrua mjeti prerës me të cilin autori plagosi 64-vjeçarin.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.