INTERVISTA/ Nga topi tek mikrofoni, rrëfehet komentatori i mirënjohur gjerman, Hans Kupper: Ja emocionet kur komentoja Shqipërinë në Euro 2016

Futbolli është padyshim sporti më popullor e më i bukur në botë. Por jo gjithmonë arrijmë të kuptojmë se sa shumë i rëndësishëm është zëri i atij që arrin të na përcjellë emocionet e fushës së blertë tek miliona shikues që ndjekin sfidat nëpërmjet ekranit. Roli i komentatorëve të futbollit ka marrë një zhvillim tepër të rëndësishëm ditët e sotme. I ftuar në Sport News ditën e sotme kemi një prej emrave më të shquar të komentimit, jo vetëm në Gjermani por edhe më gjerë, gazetarin dhe komentatorin e Sky Bundesliga-s, Hans Kupper.

Z.Kupper, faleminderit që pranuat të ishit në këtë intervistë me mua!

Jam shume i lumtur që jam këtu.

 

 

-Fillimisht dua t’ju pyes nëse kjo është vizita e parë në Shqipëri dhe si ju duket vendi ynë?

-Televizioni ynë ka qenë në të kaluarën në Shqipëri dhe ishin shumë të kënaqur me atë që panë në Shqipëri, sidomos në Tiranë. Gjithmonë kam dashur të vij në Tiranë dhe tani jam këtu për herë të parë me gruan time. Po e shijojmë shumë. Është një qytet shumë modern, me atmosferë shumë të bukur. Më pëlqen shumë.

-Ju keni më shumë se 3 dekada që komentoni në Bundesligë dhe Champions. Por përtej komentit, ju keni qenë edhe futbollist në të kaluarën. Si ndodhi kalimi nga futbollist, tek mikrofoni i komentimit? Ishte pasioni për futbollin apo ka diçka tjetër?

-Po është e vërtetë që kam qenë futbollist, por jo profesionist. Kam qenë një lojtar shumë i mirë i ri, por nuk e menaxhova dot të luaja në nivele të larta. Në këtë mënyrë thash do bëhem gazetar sportiv, komentator dhe jam mjaft i lumtur, sepse është një sport që e kam pëlqyer shumë që i vogël, kam qenë lojtar, trajner, e tani kam 35 vite që komentoj dhe e shijoj njëlloj si në fillim.

-Besoj se gjatë karrierës keni patur shumë momente të bukura. Nëse mund të ndash me ne një moment ose diçka të veçantë që keni patur gjatë komentit të një ndeshje.

Janë dy momente legjendare. Unë dhe TV ku unë punoj, Sky Sport krijuam diçka të re në koment. Ishim 5 komentator në 5 stadiume të ndryshme dhe ndërhynim tek njëri-tjetri. Gol në Dortmund, penallti në Mynih. Ne vitin 2001 mendohej se Schalke do të shpallej kampion, pastaj Bayern barazon me pikë dhe ishte në vendin e parë. Në ndeshjen e fundit të sezonit Schalke fiton 5-3 dhe të gjithë prisnin që të shpalleshin kampion, por Bayern shënon në minutat e fundit dhe fituan kampionatin. Ishte një moment i paharrueshëm. Nuk kishim përjetuar ndonjëherë një moment të tillë dhe ishte një nga momentet tona më të mira në koment.

-Ju njiheni si një tifoz i Dortmund. Çfarë përfaqëson për ju kjo skuadër ? Dhe a ju ka penguar ky informacion që dihet nga çdo kush në punën tuaj?

Në fakt është një pyetje që e dëgjoj prej dekadash. Si mund të komentosh ndeshje të Borussia Dortmund, kur ti je fans i tyre? Dhe unë gjithmonë i them se kush duhet të komentojë ndeshje, nëse jo djem si unë që e duan shumë futbollin dhe nëse e ke dashur këtë sport që i vogël, patjetër që ke një ekip të preferuar. Sigurisht që kur unë komentoj jam i paanshëm, më duhet ta bëj këtë sepse ndryshe nuk do të më pranojnë në punë. Një ditë Uli Hoenes, i cili ishte drejtues i Bayern-it të Myhniut tha, unë dua të kem më shume pasion tek komentatorët që komentojnë ndeshjet tona. P.sh Hans Kupper gjithmonë flet me shumë pasion kur komenton Schalke. Pra ai mendonte se unë jam tifoz i Schalke. Dhe unë i thash e keni dëgjuar apo jo, sepse Schalke është rival shumë i madh për Borussja-n. Pra, unë kur jam në koment nuk mbaj asnjë anë, sepse nuk jam tifoz në shkallët ë stadiumit.

-Duke qenë se përmenda Dortmundin, dua të ndalemi pak tek rivaliteti me Bayern Munchen.

Nëse do flasim për rivalitetin mes Dortmund-it dhe Bayern-it, i humbur në këtë duel del Dortmund. Sepse këta të fundit në historinë e tyre si klub kanë patur shumë momente krize, kanë qenë poshtë, edhe pse tifozët nuk e kanë lënë kurrë në baltë. Pra, për mua Borussja do te thotë 18 mijë njerëz që ndiqnin ekipin edhe në kohët më të vështira. Kur u bënë rivalë të Bayern-it në vitet 90, të gjithë në Gjermani nisën të thonin janë rivalë, por nuk mendoj se janë rivalë, sepse Bayern gjithmonë do të ketë më shumë para, më shumë sukses. Do të jetë më mirë që Borussja Dortmund të mos e përkufizojë ekipin pas trofeve dhe parave, por pas njerëzve që e duan këtë klub.

-Në Shqipëri faktikisht ka shumë tifozë gjerman. Dhe dua t’ju pyes se si ju duket ecuria e kombëtares gjermane? A mundet Nagelsman të rikthejë Gjermaninë në majën e futbollit botëror?

Aktualisht kombëtarja gjermane është shumë larg asaj që duhet. E pamë në ndeshjet e Nations League. Kur unë isha i vogël, Gjermania arrinte të shkonte në fazat finale si në Europian ashtu edhe në Botëror. Ndërsa tani kemi shumë probleme dhe do na duhet shumë kohë për të arritur në nivelet e Spanjës apo Francës p.sh. Do jetë një punë shumë e vështirë për Nagelsmann ta rikthejë Gjermaninë në krye dhe pse unë kam dyshimet e mia.

-Pra po thonit që Gjermania ka probleme. Cilat janë disa nga ato ?

-Është e vështirë ta shpjegosh. Ne jemi shpallur kampion bote në 2014 dhe kishim një ekip të mirë, kishim talente. Edhe tani kemi lojtarë si Ëirtz apo Musiala, por nuk po ja dalim sot. Nuk arrij ta kuptoj pse nuk punojmë dot si skuadër, njëlloj si Spanja, Franca, Portugalia.

-Pas pjesëmarrjes në Euro 2016 dhe Euro2024, Shqipëria ëndërron të shkojë në Botëror për herë të parë. Sa e njihni ju kombëtaren shqiptare? Çfarë i nevojitet për të arritur këtë hap të madh?

-Nuk e njoh shumë kombëtaren shqiptare, por njoh grupin që janë dhe do te jetë e vështirë. Një gol i shënuar ndaj Serbisë i ndihmonte shumë për të kapur vendin e dytë në grup, sepse Anglia do te jetë e para. Do jetë e vështirë, por çdo gjë është e mundur në futboll. Megjithatë dua të them një histori që kam me ju. Unë isha në “Euro2016” në Francë dhe komentoja ndeshjen Shqipëri-Rumani. Vajza e një mikut tim ishte në një lidhje me një djalë shqiptar dhe ky i kishte thënë mikut tim: thuaj Hansit që të komentojë ndeshjen me Rumaninë, sepse do jetë fitorja e parë e Shqipërisë në Europian. Atë ditë Shqipëria fitoi me golin e Sadikut dhe ditën tjetër unë e telefonova duke i thënë që e kreva misionin tim. (Qesh)

-Ju jeni një njohës shumë i mirë i futbollit, keni patur mundësinë të shihni shumë breza futbollistësh. Prandaj dua t’ju pyes se cili është  lojtari më i mirë për ju?

– Unë gjithmonë përpiqem ta shmang këtë pyetje, sigurisht për arsye të mira. Nëse do të them është Pele, atëherë duket sikur nuk ka të tjerë të mirë. Por në fakt, ne kemi parë shumë lojtarë të mëdhenj: Pele, Maradona, rivaliteti Ronaldo-Messi. Kemi patur futbollistë fantastikë dhe do ti kemi sërish në të ardhmen. Prandaj unë nuk dua të them një emër të përveçshëm. Dua që të gjithë të kenë vendin e tyre.

-Çfarë mendimi keni për brezin e ri të lojtarëv? Psh: Yamal, Mbappe, Musiala…

Ne në Gjermani shpresojmë që Musiala dhe Ëirtz do të jenë idhujt e së ardhmes në kombëtaren tonë. Ka shumë lojtarë të rinj Dembel, Doue, Lamine Yamal. Pra, vitet e ardhshme do të kemi breza shumë të mirë lojtarësh, që do të na dhurojnë spektakël dhe që na bëjnë të shpresojmë se e ardhmja e futbollit është në duar të sigurta.

-Faleminderit për intervistën, ishte kënaqësi.

Ishte kënaqësi e madhe edhe për mua, por dua të më lejosh të them edhe diçka të fundit, duke qenë se jam këtu. Unë nuk kam parë kurrë një stadium si ky, me një arkitekturë kaq të mrekullueshme jashtë edhe brenda. Një stadium që është ndërtuar për tifozët që e duan futbollin, prandaj futbolli shqiptar ka shumë arsye për të qenë krenar për këtë stadium.

 

 

 

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×