
Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë që kishte marrë me qira, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera në fshatin Kreshpan.
Në pranga ka rënë shtetasi A. T., banues në Kreshpan, i cili akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Sipas hetimeve të kryera pas zjarrit të rënë një ditë më parë, 31-vjeçari dyshohet se kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina në tokën që kishte marrë me qira. Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të tjera toke, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan shërbimet e Policisë së Fierit, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Pas ndërhyrjes, vatrat e zjarrit u neutralizuan dhe nuk pati pasoja për jetën e njerëzve apo banesat.
Policia e Fierit u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke theksuar se pasojat mund të jenë të rënda për njerëzit, pronën dhe mjedisin. Në mënyrë të veçantë, autoritetet kanë kërkuar shmangien e djegies së mbetjeve bujqësore dhe pastrimit të tokave përmes zjarrit, pasi flakët mund të përhapen në mënyrë të pakontrolluar, veçanërisht në kushtet e erës së fortë.
and then