Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, u shpreh se Shqipëria do të nënshkruajë sot me Malin e Zi një memorandum mirëkuptimi që do të japë efekt pozitiv dypalësh në drejtim të veprimit të koordinuar rajonal në çështjet e drejtësisë.
Nga Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë, Çela tha se ky aktivitet do të shërbejë pozitivisht në drejtim të kryerjes së një bilanci të deritanishëm në drejtim të evidentimit të problemeve dhe asaj që mund të bëhet më mirë.
Prokurori i Përgjithshëm cilësoi gjatë fjalës së tij, se duhet përcaktuar qartë trajektorja që do të përshkruhet në drejtim të bashkëpunimit rajonal sa i takon çështjeve të drejtësisë.
“Për Shqipërinë dhe jo vetëm, arritjet e deritanishme përbëjnë një progres të dukshëm që do të thotë që sistemet tona të drejtësisë janë në rrugën e duhur të standardizimit dhe harmonizimit në rrugën drejt BE-së”, pohoi Çela.
Prokurori i Përgjithshëm Çela u shpreh se nga ky forum, konfirmohet vullneti institucional në drejtim të kontributit të procesit të integrimit të vendit.
“Jemi të vetëdijshëm që puna jonë edhe në raportin rajonal lidhet ngushtë me këtë proces, ndërsa ky projekt ka hedhur themelet drejt një integrimi më të fortë dhe të sigurt dhe më afër familjes evropiane”, tha Çela.