Jo vetëm Bayern Munich, një biletë për në fazën e 1/8 në Botërorin e Klubeve siguroi edhe Flamengo. Ekipi brazilian dhuroi spektakël përballë Chelsea-t duke triumfuar me rezultatin 3-1, një ndeshje ku Chelsea bëri pak për të marrë diçka më shumë, edhe pse kaluan të parët në avantazh që në minutën e 13-të, ku Pedro Neto përfitoi nga një gafë e mbrojtjes së Flamengos duke kaluar londinezët në avantazh.
Historia ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë, ku fillimisht ishte Bruno Henrique që barazoi shifrat në 1-1. Në të 65-tën një njohje e vjetër e Serie A, Danilo, ish mbrojtësi i Juves, përmbysi rezultatin. Chelsea pësoi një kolaps total ku tre minuta më vonë, Jackson u ndëshkua drejtpërdrejtë me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër në mesfushë. Në vetëm 6 minuta, Chelsea pa t’i shkatërrohej totalisht ndeshja. Në fund, Flamengo gjeti edhe golin e tretë në minutën e 83-të duke hedhur në tapet ekipin londinez.
Enzo Mareseca, në përfundim të ndeshjes, e pranoi se ato 6 minuta, mbi të gjitha kartoni i kuq, ndryshoi totalisht rrjedhën e këtij takimi: “Mendoj se deri tek goli i parë i pësuar po luanin mirë, por më pas pësuan golin e dytë dhe kartoni i kuq ndryshoi totalisht dinamikën e lojës. Me 10-të lojtar më pas ishte e vështirë, ata e merituan fitoren”, theksoi Maresca.
()