Egnatia, tani detyrim kalimi i turit në Europë. Kampionët duhet ta tregojnë veten në fushë

Egnatias i mungon vetëm ecuria në Kupat e Europës për t’u quajtur përfundimisht një skuadër e pjekur dhe që po përligj të gjithë investimin, që është bërë nga ana e presidencës këto vitet e fundit.

Në njëfarë mënyre, kalimi i të paktën një turi në Europë mund të cilësohet si etapa e fundit apo hapi i radhës që kampionët e Shqipërisë ta konsiderojnë veten të përmbushur dhe plotësuar në këtë mënyrë edhe ciklin fitues që janë përpjekur të ndërtojnë. Dalja në Kupat e Europës ka qenë një pikë kthese për klubin. Ajo erdhi si shpërblim për vazhdimësinë dhe seriozitetin e treguar në vitet e fundit. Pjesëmarrja ndërkombëtare, jo vetëm rrit përvojën e ekipit, por e pozicionon klubin në një tjetër nivel profesional.

EUROPA DETYRIM – Skuadra e Egnatias i është rikthyer Europës me një profil ndryshe. Në ndryshim nga dy vitet e kaluara, kur pjesëmarrja u pa si një hap historik dhe një mundësi për të fituar përvojë, këtë verë Egnatia nuk ka më justifikime. Bazuar në mënyrën si është ndërtuar ky ekip, investimet e bëra dhe vazhdimësinë që ka ruajtur në projektin e vet, kalimi i turit të parë në Europë është më shumë se objektiv, është detyrim. Emocioni ishte i madh, por përvoja e fituar dy vitet e fundit ka shërbyer si mësim i vlefshëm. Tani situata ka ndryshuar. Klubi është rritur në të gjitha drejtimet dhe ka ndërtuar një skuadër të gatshme për të përballuar sfida reale. Me një grup më të konsoliduar, një trajner që i njeh mirë kërkesat e kompeticionit dhe një administratë që punon me qartësi, Egnatia nuk futet më në Europë për të parë se si është niveli, por për të treguar që është gati për të kaluar përtej.

PROJEKTI FITUES – Egnatia nuk ka ardhur rastësisht në këtë pikë. Vitet e fundit janë karakterizuar nga një rritje graduale, ku çdo hap është hedhur me mendim afatgjatë. Klubi ka investuar në infrastrukturë, ka krijuar kushte të përshtatshme për stërvitje dhe ka ndërtuar një grup drejtuesish që punojnë me profesionalizëm. Rrjedhojë e kësaj pune është edhe imazhi pozitiv që skuadra ka fituar në kampionat. Një ndër pikat e forta të Egnatias ka qenë qasja ndaj stafit teknik. Ndryshe nga praktika e zakonshme në vend, ku trajnerët ndryshohen shpesh, Egnatia ka ruajtur stabilitet në pankinë. Luhatjet në rezultate nuk kanë munguar, por në asnjë moment nuk është vënë në dyshim trajneri Edlir Tetova, duke i dhënë besimin që kërkohet. Kjo ka lejuar ndërtimin e një identiteti loje dhe një grupi që e njeh mirë njëri-tjetrin. Zgjedhjet në merkato kanë qenë gjithashtu të kujdesshme, duke u fokusuar te cilësia dhe jo te sasia.

EGNATIA SI SHEMBULL – Në një kampionat ku shpesh mbizotëron improvizimi, Egnatia ka treguar se suksesi ndërtohet me plane të qarta, vendime të qëndrueshme dhe respekt për procesin. Pa shumë zhurmë, klubi i Rrogozhinës po e shkruan vetë historinë e tij, si një model që duhet ndjekur nga shumë të tjerë në futbollin shqiptar. Egnatia nuk ka synuar të “djegë etapat” me bujë apo investime të pamenduara. Klubi ka zgjedhur të ecë me ritmin e vet, duke u rritur çdo sezon, në mënyrë të qëndrueshme. Pjesëmarrja në arenën europiane nuk është parë si një kulm i arritur rastësisht, por si rezultat logjik i një ndërtimi të qëndrueshëm në kohë. Tani mbetet për t’u parë se deri ku mund të shkojnë në Europë, në një kohë që shorti është i kënaqshëm, ku përballë kanë kampionët e Islandës që nuk kanë asgjë më shumë sesa ta.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×