Një përplasje me armë zjarri është regjistruar pak pas mesnate në zonën e rrethrrotullimit të Golemit, në Kavajë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një 21-vjeçar.
Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm mes dy personave, të cilët janë takuar në vendin e ngjarjes dhe pas një debati të ashpër, situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
I plagosur ka mbetur shtetasi Luiz Sheqi, 21 vjeç, i cili është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se gjendja e tij është e stabilizuar, por vijon të monitorohet nga personeli shëndetësor.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes si Shpëtim Dedja, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati. Forcat e rendit po vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Durrës
Dyshohet se plagosi me armë zjarri 21-vjeçarin, Policia identifikon 36-vjeçarin dhe po punon për kapjen e tij.
Në orët e para të mëngjesit, në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim, shtetasi L. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës, me dëmtime në këmbë, të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri. Ai po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet dyshohet se autori i plagosjes është shtetasi Sh. D., 36 vjeç, banues në Golem. Po punohet për kapjen e tij dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.