Në një konferencë për mediat, Sali Berisha komentoi emërimin e Genc Deromemajt në krye të Kadastrës së Vlorës, një ish-kryetar i PD-së lokale që së fundmi kishte mbetur vetëm anëtar i thjeshtë i partisë.
Berisha tha se rreth 10 ditë më parë, Deromemaj e kishte informuar përmes një mesazhi se po tërhiqej përfundimisht nga aktiviteti politik. Ai e quajti zgjedhjen e tij personale, por me ironi nënvizoi se “ka marrë një post që një demokrat nuk do e pranonte kurrë”.
“Është një zgjedhje e tij, unë gjithmonë kam respektuar të drejtën e individit për të zgjedhur. Por të marrësh një funksion të tillë, në një strukturë që njihet për rotacion të shpejtë, është diçka që flet vetë. Investimin ai e ka pasur në PD, por si përfundoi në një vlerësim nga partia e krimit, është çështje e tij”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse ky rast sinjalizon largime të tjera nga partia, Berisha u shpreh se nuk ka informacion për raste të ngjashme. “Nuk kam dijeni për asnjë tjetër. Rasti i tij është i izoluar dhe nuk më njoftoi se do pranonte një post politik në administratën e qeverisë”, përfundoi ai.