“Reformat zgjedhore në të ardhmen duhet të fokusohen në garantimin e një fushe të barabartë për të gjithë”, ky ishte mesazhi që ambasadori britanik në Shqipëri, Nick Abbott dha sot në fjalën e tij në tryezën “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”.
Pjesëmarrës në tryezë ishin edhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Komisoneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili u shpreh se duhet të ketë më shumë transparencë për financimet e fushatave elektorale.
“Reforma në të ardhmen duhet të fokusohet në garantimin që të ketë një fushë të barabartë për të gjithë. Marrëveshje mes partive politike, përfshirë këtu grupet përfaqësuese të grave dhe pakicave dhe me këtë qëllim më duket se janë përsëritur shumë këto çështje, mendoj se duhet të ketë zhvillim më shumë në financim dhe transparencë në fushatat elektorale në mënyrë që njerëzit ta dinë se si financohen këto fushata dhe nga kush. Duhet të ketë mekanizma më të mirë për të parandaluar”, tha Abbott.
Gjithashtu ambasadori britanik theksoi se parlamentarët duhet të veprojnë për ndryshim dhe shoqëria civile duhet të shtyjë për këtë ndryshim
“Duhet të ketë akses të barabartë në media dhe ku është akoma problem, sidomos për partitë e vogla. Megjithëse janë parti më të vogla kanë të njëjtat të drejta për akses tek mediat. Pronësia e medias nuk duhet të jetë problem për ta.
Gratë mbeten të nënpërfaqësuar në zgjedhje dhe mendoj që mandati katërvjeçar duhet të jetë shumë i rëndësishëm përveç agjendës së brendshme për anëtarësimin në BE për 2030 shohim edhe sfida të tjera për sigurinë evropiane, ku Shqipëria ka një rol për të luajtur”, tha Abbott.
Ai shtoi se, “parlamentarët duhet të veprojnë për ndryshim dhe shoqëria civile duhet të shtyjë për këtë ndryshim dhe ne si partnerë ndërkombëtarë duhet ta mbështesim ndryshimin”.
“Unë e kuptoj që parlamenti i ri do të ketë shumë deputetët të rinj, dhe është ajo thënia që ‘gjelat e detit nuk votojnë për Krishtlindje’ dhe ndaj, deputetët duhet të jenë mbrojtës ndaj një procesi të drejtë dhe duhet të jenë aktorë për ndryshim”, u shpreh ambasadori Abbott.
()