Ish-prokurori Arjan Ndoja ka dhënë sot një dëshmi në Gjykatën e Posaçme, ku është pyetur nga avokati Ilia Ilia në kuadër të procesit gjyqësor për atentatin e ndodhur në nëntor të vitit 2019 në Shkozet, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe vetë Ndoja u plagos.
Në dëshminë e tij, Ndoja shpjegoi marrëdhënien me Aleksandër Lahon, një nga personat që ndodhej në makinë në momentin e atentatit.
“Aleksandër Lahon e kam njohur në vitin 2005, kur isha avokat dhe ai ishte i përfshirë në një ngjarje plagosjeje. Kemi pasur marrëdhënie shoqërore ndër vite, pa ndonjë status të veçantë. Më kishin ftuar, dhe shkova,” u shpreh ai.
Duke kujtuar momentet e atentatit, Ndoja tha:
“Ishte një makinë pas nesh. Në video e kam parë, jo me sy të lirë. Mjeti erdhi nga pas, u dëgjuan të shtëna, pastaj kaloi në anën time dhe vazhdoi të qëllonte. Shoferi im, i ndjeri Andi Maloku, fillimisht rriti shpejtësinë dhe pastaj e ngadalësoi makinën. Në ato sekonda nuk mund të shohësh dot kush të qëllon.”
I pyetur nga avokati pse mendon se atentati ishte drejtuar ndaj tij si prokuror, Ndoja u shpreh:
“Mjeti ishte imi personal dhe ishte lehtësisht i identifikueshëm. Nëse donin të godisnin dikë tjetër nga personat në makinë, do ta kishin bërë në një rast tjetër, jo kur isha unë aty. Nuk është e thënë që të kesh konflikt për të të qëlluar me armë. Në makinën time janë gjetur 13 predha. Nuk jam ankuar kurrë në prokurori, nuk kam bërë kallëzim. E njoh mirë sistemin.”
Gjatë seancës, avokati Ilia Ilia ngriti çështjen e një dosjeje të dyshuar hetimore, e cila sipas tij është gjetur në bagazhin e makinës.
“Cila dosje?”, reagoi Ndoja.
“Dosja hetimore e vjedhur në prokurorinë e Durrësit, është fakt publik,” tha Ilia. “Ka të bëjë me një çështje penale për falsifikim dokumentesh.”
Ndoja e mohoi:
“Në makinë kisha disa materiale që m’i kishte dhënë një avokat. Nuk ishte dosje hetimore, ishte një dosje gjyqësore dhe në procedim gjykimi. Ndaj të pyeta se cila dosje.”
Dëshmia e sotme e Ndojës sjell detaje të reja mbi atentatin dhe ndërlidhjet e mundshme me materiale procedurale që ai kishte në zotërim. Procesi vijon me pritet të tjera përballje mes palëve.