Zjarre në 12 bashki gjatë 24 orëve të fundit/ Forcat ajrore dhe zjarrfikësit në gatishmëri, s’ka dëme në njerëz

Në 24 orët e fundit, Shqipëria është përballur me 18 vatra zjarri në të paktën 12 bashki të vendit, duke përfshirë Vlorën, Sarandën, Ksamilin, Delvinën, Vau i Dejësin, Malësinë e Madhe, Tiranën, Kavajën, Beratin, Kuçovën, Skraparin dhe Elbasanin.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave operacionale, të gjitha vatrat janë shuar pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë. Megjithatë, flakët kanë përfshirë rreth 35.9 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe barishte.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 266 efektivë, 35 automjete zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Në jug të vendit, Forca Ajrore ka shtuar mbikëqyrjen ajrore me dronë, duke ofruar vëzhgim të vazhdueshëm ditor dhe nate mbi zonat më të rrezikuara.

Mbrojtja Civile ka deklaruar se mbetet e angazhuar në monitorimin dhe përballimin e çdo situate emergjente në nivel vendor dhe qendror.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm u regjistruan edhe dy lëkundje tërmeti: një me magnitudë 3.9 Rihter në Fushë-Krujë me thellësi 15 km, dhe një tjetër me magnitudë 3.8 në Zall-Herr, Tiranë. Nuk raportohet për dëme në njerëz apo objekte.

Për ditën e sotme, IGJEUM parashikon reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë, ndërsa për rrezikun nga zjarret, qarku Fier klasifikohet me nivel “të lartë”, ndërsa qarqet e tjerë me “rrezik të moderuar”.

Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë menjëherë çdo vënie në rrezik pranë institucioneve vendore.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×