Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, në fjalën e saj gjatë Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Shkup, ka dhënë mesazhe të qarta mbështetëse për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit.
“Për herë të parë në historinë e Europës, nëse e zhvillojmë dhe e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë një bashkim të Europës sonë – dhe një Europë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se ekziston një konsensus i qartë politik në favor të zgjerimit, duke nënvizuar se kjo është një mundësi që nuk do të qëndrojë përgjithmonë.
Duke përmendur Shqipërinë, Kos vlerësoi progresin e bërë gjatë muajve të fundit.
“Shqipëria, i nderuar Kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grupkapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë”, u shpreh Komisionerja.