Kam vetëm pak javë në drejtim të skuadrës së Real Madrid, por Xabi Alonso ka nisur që dalëngadalë të përzgjedhë lojtarët me të cilët dëshiron të vijojë sezonin e ardhshëm. Jo vetëm në merkaton hyrëse, porn ë Madrid po punojnë edhe për shitjen e lojtarëve, që janë jashtë planeve të teknikut spanjoll. Njëri prej tyre është sulmuesi Brazilian Rodrigo.
Shtypi anglez vazhdon të diskutojë të ardhmen e Rodrygo në lidhje me një transferim të mundshëm te Arsenal. Daily Mirror raporton se Gunners po ndjekin me kujdes situatën e sulmuesit gjatë ditëve të para të Xabi Alonso-s te Real Madrid, dhe duke marrë parasysh rrethanat, janë gjithnjë e më të bindur se mund të mbyllin një marrëveshje që do ta çojë brazilianin në veri të Londrës.
Sipas Mirror-it, Rodrygo do të kushtojë rreth 80 milionë euro (70 milionë paund) dhe do të kërkojë një nga pagat më të larta në skuadër. Për këtë gazetë angleze, nënshkrimi i brazilianit është një “transferim ambicioz” me perspektiva që “po rriten”.
Edhe vetë rrethi i lojtarit është i vetëdijshëm se një largim mund të ndodhë, por ata po presin të shohin se si do të zhvillohet vera dhe nuk duan të bëjnë hapa të nxituar.