Bayern Munich nuk heq dorë nga Nico Williams, me klubin gjerman që po bën çdo përpjekje për të siguruar kartonin e sulmuesit spanjoll. Bayern ka në dorë vetëm parat, e vetmja mënyrë për të tunduar lojtarin, për këtë arsye janë të gatshëm ti ofrojnë Nico Williams 12 milionë euro në sezon, plus 2 të tjera në formë bonusesh. E përditshmja spanjolle Marca zbulon se drejtuesit e Bayern janë të vetëdijshëm që dëshira e lojtarit është të transferohet te Barcelona, por klubi gjerman është gjithashtu i vetëdijshëm për problemet financiare që kanë blaugranat.
Nico ka një klauzolë largimi prej 62 milionë euro, por kjo shumë është e vlefshme brenda datës 9 korrik. Barcelona është në garë me kohën për të gjetur këtë shumë, në mënyrë që Williams të lirohet nga Athletic Bilbao. Në këtë pikë, edhe vetë lojtari është pak skeptik pasi nuk dëshiron që të përsëritet e njëjta histori si me Dani Olmon, pra edhe Williams kërkon të kuptojë fillimisht nëse Barcelona mund ta regjistrojë pasi të ketë blerë kartonin e tij. Bayernit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të pres se çfarë do të ndodhë, në çdo rast janë gati të paguajnë klubin spanjoll dhe lojtarin.