Autoritetet italiane kanë publikuar pamjet e operacionit, ku u sekuestruan pasuritë e vellezërve Suel dhe Mario Çelës. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për pastrim të parave në Itali, të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës nga mafia shqiptare.
Sipas hetimeve të përbashkëta të Guardia di Finanza të Veronës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, një familje e njohur kriminale shqiptare, me origjinë nga Elbasani, ka investuar paratë e trafikut të drogës në sektorin e pasurive të paluajtshme në territorin veronez.
Këto para vijnë kryesisht nga trafiku i kokainës të importuar nga Amerika e Jugut për tregun europian. Gjykata e Veronës ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të paluajtshme, aksioneve në kompani dhe fondeve financiare me vlerë rreth 4 milionë euro, masë kjo e ekzekutuar ditën e sotme.
Hetimet janë fokusuar mbi dy vëllezër nga kjo familje kriminale, ku njëri është në kërkim ndërkombëtar dhe tjetri ndodhet në burg në Belgjikë, pas arrestimit në Verona në qershor 2024, përfshirë akuzat për përfshirje në një vrasje të një anëtari të një klani rival në Antverpen.
Paratë e përfituara nga trafiku i drogës janë futur në Itali përmes një kompanie imobiliare në Verona, e cila ka kryer blerje dhe rikonstruksione të ndërtesave, të cilat më pas janë dhënë me qira, duke përdorur kanale financiare jo të zakonshme nga Shqipëria.
()