Më 11 Maj të shumtë ishin deputetët aktualë që nuk arritën të fitonin votat e nevojshme për të fituar një mandat tjetër e kështu në shtator të rikthehen në Parlament.
Të pozicionuar në listat e hapura të kandidatëve për deputetë, fati nuk u buzëqeshi ligjvënësve socialistë dhe demokratë.
“Kam qenë e lidhur me ligjin e drejtësinë, kështu që nuk ka arsye të përfundojë. Peng? Nuk kam. Unë nuk jam shkëputur nga puna me ligjin, akademinë, etj. Nëse do më lejohet hapësira në politikë, nuk do ketë hezitim nga ana ime”, u shpreh Ermonela Felaj.
“Ndihem i privilegjuar, ka qenë një përvojë e mrekullueshme në jetën time profesionale dhe gjithashtu i pvirilegjuar që të kem qenë pjesë e këtij grupi që kemi cuar përpara anëtarësimin evropian. Do më mungojë jeta parlamentare, do mbetem qytetar aktiv”, u shpreh Toni Gogu i PS.
“Ndihem krenare për punën që kam bërë, falënderuese PD-së që kam përfaqësues, falënderuese medias që kemi pasur një komunikim shumë të mirë. Kam punuar 20 vite në administratën publike dhe politika kthehet edhe në pasion. Besoj se nga shtatori do kthehem në profesionin tim. Do më marrë malli për kauzat që kam mbrojtur”, tha Dhurata Çupi e PD.
“Unë jam dielli që po perëndon në politikë, shikoni diellin e mëngjesit. Kam një licencë avokati, mund të rikthehem shumë shpejt, pse jo edhe në sallat e gjyqit, këtë profesion kam zgjedhur”, u shpreh shkurtimisht Nasip Naço, i cili nuk do të jetë më pjesë e PS në parlament.
82 deputetë aktualë në shtator nuk do kthehen në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë ata thotë se jetën nuk e kanë të lidhur përgjithmonë me një mandat deputeti. Jeta vazhdon e bashkë me të edhe sfidat e reja.