Në Landfillin e Elbasanit vijon pa ndërprerje puna intensive për izolimin e plotë me dhe të sipërfaqes së fushës së mbetjeve, nga e cila ende del tym pas zjarrit masiv që e përfshiu atë gjatë ditëve të fundit.
Aktualisht mbi 50 forca të shërbimit zjarrfikës, bashkisë dhe ushtrisë, të pajisur me mjete zjarrfikëse si dhe me rreth 20 kamionë, fadroma dhe traktorë janë duke punuar në terren për të ndërprerë përfundimisht daljen e tymit në sipërfaqe.
Ky mobilizim i jashtëzakonshëm u nxit nga ultimatumi i kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi që kjo situatë e rëndë mjedisore në Elbasan të marrë fund brenda kësaj fundjave. Reagimi i menjëhershëm dhe i koordinuar i strukturave shtetërore gjatë dy ditëve të fundit ka sjellë një përfshirje masive të burimeve njerëzore dhe teknike në terren dhe deri tani duket se po jep rezultatet e para pozitive.
Megjithatë, pasojat e kësaj katastrofe mjedisore janë të jashtëzakonshme. Ndotja e ajrit, përhapja e tymit toksik dhe ndikimi për keq në shëndetin e banorëve të zonës përreth mbeten shqetësime serioze që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe masa afatgjata për rikuperim dhe parandalim të ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.