FOTO+VIDEO/ “Polisi në Festë”, zemra e malësisë së Librazhdit që rreh me krenari dhe shpresë për zhvillimin e turizmit malor

Të dielën e parë të këtij muaji, një atmosferë magjike e mbërtheu Malësinë e Polisit (Librazhd) ku qindra banorë vendas, emigrantë të rikthyer, miq e turistë nga mbarë vendi dhe Europa u bashkuan në një nga festat më të dashura dhe më të shumëpritura të vitit “Festa e Polisit”.

Kjo festë tradicionale, e kthyer tashmë në simbol të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të kësaj zone, u zhvillua në natyrë në lëndinën piktoreske të quajtur “Vali i Madh” e rrethuar nga masive të dendura pyjore e male madhështore. Edhe pse fundjava shënoi temperatura të larta, asgjë nuk e ndaloi pjesëmarrjen masive dhe emocionet e forta që solli ky aktivitet.

Polisarë e librazhdas, të rinj e të moshuar, të larguar ndër vite, por gjithmonë të lidhur me vendlindjen, u mblodhën për të festuar, kënduar, kërcyer, vallëzuar dhe ndarë kujtime të paharrueshme. Atmosfera ishte e ndezur nga grupet folklorike dhe ritmet popullore që jehonin mes maleve duke rikthyer emocionin e së kaluarës dhe krenarinë për rrënjët.

“Festa e Polisit” është shumë më tepër se një ngjarje festive, ajo është një thirrje e fortë për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore, kulturore, kulinarisë, zakoneve, zejeve dhe mikpritjes tradicionale të kësaj krahine që ka qenë e banuar që nga lashtësia.

Në këtë festë mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu mirënjohjen për banorët e Njësisë Administrative Polis për organizimin e jashtëzakonshëm. Ai theksoi rëndësinë e kësaj feste për forcimin e lidhjeve të komunitetit dhe promovimin e turizmit malor si një motor zhvillimi ekonomik për zonën.

“Fakti që mjaft nga emigrantët e kësaj zone po shprehin dëshirën që të rikthehen dhe të investojnë në fshatrat ku u lindën, është mesazhi më i bukur i mundshëm. Ne i inkurajojmë të gjithë dhe do të jemi krah tyre për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për Polisin” – u shpreh Kryebashkiaku i Librazhdit, i cili foli gjithashtu edhe për përmirësimin e infrastrukturës, furnizimin me ujë të pijshëm dhe vaditës dhe mundësitë që ofron ligji i ri “Paketa e Maleve”, i cili përmes projektit “Investo në tokën tënde”, synon të tërheqë investime në zonat malore të Shqipërisë.

Festa e Polisit është një dritare unike për të promovuar mrekullitë natyrore të kësaj zone, gjurmët e rrugës Egnatia, urat e lashta si Ura e Kamares, Ura e Gurit dhe ajo e Haxhi Beqarit, gurrat e freskëta si Gurra e Kranshës e Gurë Shpatës, lumi i Gostimës me troftën e egër, stanet alpine me delet autoktone, masivet e ahut e dushkut, dhe mbi të gjitha, Ylli i Alpeve, një bimë endemike unike në botë që rritet në malin e Polisit.

Zona përfaqëson 58% të florës dhe faunës shqiptare dhe 16% të asaj europiane, me shumë specie të rralla në shkallë globale. Kjo pasuri e jashtëzakonshme natyrore, e kombinuar me gatimet tradicionale bio si djathi, gjiza, qumështi, gjalpi, mishi dhe produktet blegtorale të zonës, e bëjnë Polisin një destinacion gjithnjë e më të preferuar nga turistët vendas dhe të huaj.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×