Analisti Ben Andoni, në një intervistë me Skype në News 24 tha se SPAK ka bërë goditje të përqendruara edhe në radhët e politikanëve.
Andoni tha se partitë politike e shohin SPAK-un si rrezik, prandaj përpiqen që ta pengojnë punën e Strukturës së Posaçme. Ai vlerësoi SPAK-un dhe tha se për momentin, është shpresë për qytetarët shqiptarë.
“SPAK ka tejkaluar mbi parashikimet e partive dhe politikanët duan t’i ndërhyjnë. Publiku kërkon dënime shembullore, edhe për shkak të korrupsionit të madh të përhapur. Qytetari është në një status-quo, sepse ka përjetuar pushtetin e Fatos Nanos, Sali Berishës, Edi Ramës. Administrata lë shumë për të dëshiruar. Individi kërkon më shumë tek ne një status-quo. Njerëzit janë të lodhur nga sistemi i aksioneve. Aksioni ishte i mirë në kohën e monizmit, sepse bëje miq, por lodheshim, sepse ishte e njëjta gjë. Janë bërë aksione në komunizëm e të gjitha janë shkatërruar. Janë bërë aksione në demokraci dhe sërish nuk shohim rezultate. Shqiptari ka nevojë për administratë që t’i besojë”, tha Andoni.
Duke folur për aksionin për lirimin e hapësirave publike, Andoni u shpreh se ndërhyrja në pikun e sezonit dëmton biznesmenët.
“Gjërat duhet të ishin rregulluar më herët. Ndërhyrja në pikun e sezonit dëmton biznesmenët. Vetë shteti i ka lejuar ndërtimet pa leje, qoftë edhe në Theth. Pushteti vendor merret me gjëra të tjera, por kryeministri mund të ndërhyjë, sepse është primati. Por, Rama po zhvendos vëmendjen nga problemet e vendit, nga pasiguria dhe ikja masive e të rinjve. Rama po prodhon akt rregullsie brenda parregullsisë. Ne kemi Tiranën dhe po bëhen ndërtime në kryeqytet pa pyetur as arkitektët. Rama do ta mbajë publikun në tonus të vazhdueshëm, duke treguar pushtetin e vet personal. Për mua nuk duhet ta tregojë pushtetin që ka, sepse ka pushtet shumë të madh, e ky pushtet besoj se nuk do jetë dita e largët, që do ta marrë me vete dhe kryeministrin. Të të kërkohet dorëheqja për drejtim të punëve publike dhe ti ta japësh menjëherë, tregon se je thjesht një numër. Sepse një drejtor që di mirë gjërat e është profesionist, le të kishte përballë edhe Ramën, edhe zotin Trump, do thoshte se këtë punë e di unë. Është batërti që administrata jonë është në këto standarde, që jep dorëheqjen menjëherë sapo e kërkon kreu i qeverisë”, u shpreh ai.
Duke folur për situatën në PD, për Andonin, në Partinë Demokratike ka shumë xhelozi, për faktin se kush do e trashëgojë partinë pas Berishës.
“Xhelozitë brenda PD kanë nisur dhe këto janë xhelozi për të marrë trashëgiminë pas asaj që do vijë pas Berishës. Por Berisha e përdor PD si pronë të veten dhe Rama e përdor PS-në si pronën e vet. Salianjin nuk e pritën shumë vetë në PD, kjo tregon se ka shumë xhelozi dhe besoj se kjo xhelozi nuk do e lërë Ervin Salianjin të ngrihet brenda Partisë Demokratike. Protestat e opozitës në vendin tonë nuk kanë simbolikë. Shqipëria është në fillimet e demokracisë. Vendet e rajonit po ecin drejt BE-së. Shpresoj që Shqipëria të integrohet në BE dhe kjo do ishte falës punës së gjithë shqiptarëve, por disi edhe politikanëve, që shpesh i shajmë”, deklaroi Andoni.