Të tjera lëvizje interesante në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër” sa i takon merkatos. Klubi torinez po kërkon të akumulojë të ardhura nga shitjet e lojtarëve, në mënyrë që më pas të jetë në gjendje të investojë për afrimin e lojtarëve të rinj, që tekniku Igor Tudor kërkon për të përforcuar situatën.
Juventus është gati të shesë Nico Gonzalez për rreth 30 milionë euro, me interesim nga klubet saudite. Kjo shitje mund të çelë rrugën për afrime të reja në atë repart, sidomos për Jadon Sancho dhe Francisco Conceição.
Sancho është gjithnjë e më afër Juventusit: ai ka ulur kërkesat për pagën dhe ka vendosur projektin bardhezi si prioritet. Me Manchester United ekziston një marrëveshje për kartonin e tij (rreth 24 milionë euro), por mbetet për t’u zgjidhur çështja e një bonusi dalës prej 5 milionë euro që Sancho kërkon nga klubi anglez. Palët po negociojnë dhe një marrëveshje duket e mundshme.
Paralelisht Juventus po punon për të përforcuar sulmin duke tentuar të mbajë edhe për këtë sezon dy lojtarë të rëndësishëm si Francisco Conceição dhe Kolo Muani.
Për Conceiçao Juve ofron 22 milionë euro, ndërsa Porto kërkon 25. Marrëveshja është afër, por duhet mbyllur para 16 korrikut, kur klauzola e lojtarit rritet në 45 milionë euro.
Ndërsa për Kolo Muani Juve propozon një huazim me pagesë prej 10 milionë euro dhe blerje të mundshme për 30–35 milionë. PSG preferon ta shesë menjëherë dhe nuk është bindur ende. Klubi bardhezi shpreson të mbyllë gjithçka brenda korrikut.