
Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shqipëri, gjatë dy fazave të tjera të operacionit të koduar “Fast”.
Policia bën me dije se njëri prej tyre u kap në Shkodër, ndërsa tjetri në Vorë. Arrestimet u kryen nga shërbimet e FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Shkodër dhe Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
I arrestuari në Shkodër është 45-vjeçari me inicialet A. D., alias V. D., ndaj të cilit Gjykata e Apelit në Romë ka dhënë një dënim prej 7 vitesh e 11 muajsh burgim. Ai është shpallur fajtor për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”. Sipas policisë, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite, 4 muaj e 2 ditë burgim.
Ndërkohë, në Vorë u arrestua 49-vjeçari B. K., i dënuar nga Gjykata e Apelit në Bari me 4 vite burgim për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 11 muaj e 3 ditë burgim.
Të dy shtetasit janë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po vijon procedurat për dorëzimin e tyre.
Operacioni “Fast” është rezultat i bashkëpunimit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia e vendeve të tjera.
and then