
Skandali i lidhjes jashtëmartesore të zbuluar gjatë një koncerti të Coldplay vazhdon të bëjë bujë, por këtë herë në fokus nuk janë vetëm dy protagonistët e aferës — Andy Byron dhe Kristin Cabot — por edhe një figurë tjetër që qëndronte pranë tyre në atë moment viral: Alyssa Stoddard.
Në pamjet e regjistruara nga “kamera e puthjes”, shfaqet përqafimi intim mes Byron dhe Cabot, ndërsa përkrah tyre shihet Alyssa me një buzëqeshje të ngrirë dhe të sikletshme, e cila dukshëm përpiqet të ruajë qetësinë në një situatë të ngarkuar emocionalisht.
Alyssa nuk ishte thjesht një e pranishme rastësore. Ajo është pjesë e stafit të burimeve njerëzore në kompaninë Astronomer dhe ka mbajtur rolin e drejtoreshës së lartë të HR që nga janari 2025. Por rritja e saj në karrierë është bërë edhe më e dukshme kohët e fundit: vetëm pak ditë më parë ajo është emëruar si zëvendëspresidente e burimeve njerëzore — një pozicion që e vendos pikërisht nën varësinë e Kristin Cabot, protagonistes së skandalit.
Ky fakt ka ndezur edhe më shumë reagimet në rrjetet sociale, ku shumë e akuzojnë Alyssa se ka qenë në dijeni të aferës dhe e ka mbuluar atë me heshtjen e saj.
“E promovuar nga vetë Kristin, ndërkohë që ishte aty kur ndodhte gjithçka. Ironike, apo e planifikuar?” – shkruan një komentues. Të tjerë theksojnë se e vetmja që s’kishte dijeni për gjithçka ishte bashkëshortja e Byron, e cila menjëherë pas videos ka hequr mbiemrin e tij nga rrjetet sociale.
Ndërsa skandali vazhdon të përhapet, pyetjet shtohen: Kush e dinte çfarë dhe prej kur? Dhe sa e vështirë është të ndash jetën profesionale nga ajo personale, kur të dyja përplasen publikisht para mijëra njerëzve?