Besnik Koçiu, i dyshuar për plagosje u izolua me vendim të Gjykatës së Tiranës në paraburgimin 313, por pa mbushur as 10 ditë nga qëndrimi në arrestim, ai ndërroi jetë.
Gjykata e Tiranës nuk mori në konsideratë pretendimet e avokatit, për një masë më të lehtë sigurie, ndonëse Koçiu ishte me probleme të rënda shëndetësore dhe i rrezikohej jeta.
“Ka pasur probleme të rënda shëndetësore. Ai nuk duhet të rrinte qoftë dhe një moment, qoftë dhe një orë në paraburgim, ku ata e lanë dhe nuk morën asnjë lloj masë për shëndetin e tij.
Vuante nga një goditje në tru, ishemi, diabet dhe shumë sëmundje të tjera.
Ne paraqitem të gjithë dokumentacionin që i përkiste për pjesën e shëndetit të vëllait tonë, por ata nuk e morën parasysh, se çfarë bëhej me të”, tha Eranda Sejdini .
Familjarët pretendojnë se përgjatë 5 orëve Besniku shfaqi probleme shëndetësore, nuk iu dha ndihma dhe ai u mbajt i izoluar në një qeli të veçantë.
Pyetjes se kë sheh si përgjegjës, Eranda Sejdini iku përgjigj: Pa diskutim që shtetin. Unë vetë e mendoj që përgjegjës janë pjesë e njerëzve që kanë qenë kompetent aty, që nuk i kanë dhënë ndihmën e parë.
Ndërkohë vëllai i Besnikut, Maksim Kociu u shpreh: Me vëllain kanë neglizhuar shumë shumë gjera, që nga burgu që nga gjykata….Nuk i dhanë asnjë lloj ndihme.
Familja i është drejtuar prokurorisë me një kallëzim penal dhe kërkon hetim të plotë të ngjarjes dhe dënimin e personave përgjegjës
“Ne kërkojmë të hapen kamerat dhe drejtësia te shkojë deri në fund. Të paktën të dimë sesi ka vdekur vëllai jonë. Nuk kemi asnjë përgjigje nga shteti, se çfarë dhe si ka ndodhur në atë paraburgim”, tha Eranda Sejdini.
Vëllai i Besnikut, u shpreh se nuk do të ndalet derisa të gjejë të vërtetën për vëllanë.
“Nuk do të ndalem derisa ta gjej të drejtën e vëllait. Përgjegjësia fillon që te gjykata, që nuk morën parasysh asnjë lloj gjëje,. Si gjykojnë këta, një gjykatës një prokuror. Që nga këto e kërkoj drejtësinë. Dua të shikoj kamerat, dua dosjen e vëllait tim, çdo njeri të marrë përgjegjësinë për çfarë ka ndodhur”, tha ai.
Besnik Koçiu u arrestua më 12 korrik 2025 në dyshimet për plagosje me armë sportive.
Më datë 15 gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për të dhe ai u vendos në ambientet e paraburgimit dhe një javë më vonë humbi jetën.