Rikthim në fron, Gjermania mposht Turqinë në finalen e Euro Basket, kampionë pas 32 vitesh

Gjermania është shpallur kampione e Europës në basketboll për meshkuj. Në finalen e Eurobasket 2025 të luajtur në Riga të Letonisë, skuadra gjermane mundi 88-83 Turqinë, në një ndeshje të vendosur në sekondat e fundit. Për Gjermaninë ky është titulli i dytë në histori pas atij të fituar në vitin 1993, duke u rikthyer në fronin e kampionit të Europës pas 32 vitesh. Ndërkohë që, Gjermania është edhe kampione e botës në fuqi. Për Turqinë një finale e humbur në “fotofinish”, duke mos ngritur dot lart trofeun, në një ndeshje që në përgjithësi e udhëhoqi, por pa mundur dot të bëjë hapin e fundit.

Përvoja e Gjermanisë bëri diferencën në fund. Perioda e parë është e ekuilibruar, me gjermanët që udhëheqin 24-22, por në çerekun e dytë vjen përmbysja e turqve. Pjesa e parë e ndeshjes përfundon 46-40 për ballkanasit, që luajnë më mirë. Me fillimin e periodës së tretë rikthehet ekuilibri, ku herë udhëheq njëri ekip e herë tjetri. Turqia udhëheq 67-66 pas 30 minutash lojë, por në periodën e fundit loja bëhet dramatike, me gjermanët që fitojnë 88-83 dhe nisin festën.

Bonga me 20 pikë ishte shënuesi më i mirë për Gjermaninë, mbështetur nga Wagner me 18 pikë e Schroder me 16 pikë. Për Turqinë, dyshja Sengun-Osman realizoi 51 pikë së bashku, por që s’mjaftuan për të fituar. Gjermania bëhet kombëtarja e katërt europiane me një triumf të dyfishtë, Botëror-Europian njëri pas tjetrit, pas bashkimit Sovjetik, Jugosllavisë dhe Spanjës. Për Turqinë, finalja e dytë europiane e humbur, pas asaj të vitit 2001.

Diferencën në këtë finale e bënë gjuajtjet nga distanca, ku Gjermania realizoi 14 të tilla, sidomos në momentet vendimtare. Në “finalen e vogël” për vendet 3-4, kombëtarja e Greqisë fitoi 92-89 ndaj Finlandës, duke fituar medaljen e bronzit.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×