Një 55-vjeçar është arrestuar në Portin e Durrësit, pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar 1000 fishekë arme gjahu dhe rreth 20 000 euro, pa i deklaruar.
55-vjeçari do të përballet me akuzat për “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Njoftimi:
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje/dalje, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të municionit luftarak dhe një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi K. A., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjatë kontrollit në kamionin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kabinë, 1000 fishekë gjahu, armë gjahu dhe rreth 20 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me kamionin, pasaportën dhe celularin e 55-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb