Fitorja e Maks Vershtapenit në Monza fundjavën e kaluar mund të jetë pikënisja e një kthese në sezonin e tij të vështirë. Këtë vit, piloti holandez i Red Bullit ka fituar vetëm tri gara, një bilanc i pazakontë për të, por në fjalorin e tij, fjala “dorëzim” nuk ekziston. Edhe pse makina që ka në dispozicion nuk është më ajo më e mira në F1, Vershtapen vazhdon të luftojë. Emri i pilotit holandez është përfolur disa herë në lidhje me skuadra si Aston Martin dhe Mercedes, por për sezonin 2026, kampioni i botës do të jetë ende pjesë e Red Bullit, me shpresën se rregulloret e reja do t’i japin një makinë më konkurruese.
“Vitin e ardhshëm, makinat do të jenë më të ngadalta, kjo është e sigurt. Do të kenë më shumë fuqi, por më pak ngarkesë aerodinamike. Mendoj se pilotimi do të jetë shumë ndryshe. Megjithatë, shpresoj që këto ndryshime në fund të sjellin gara më të mira në Formulën 1”, tha Vershtapen në një interviste për “Mundo Deportivo”. A do të ndryshojë edhe stili i drejtimit?
“Vështirë të thuhet me siguri tani për tani. Makinat do të kenë më pak fërkim, por gjithçka do të varet nga kufijtë e tyre”, shtoi holandezi. Vershtapen numëron katër tituj kampion bote, të gjithë të ndryshëm dhe të veçantë për të, ndaj është e vështirë të zgjedhë një si të preferuarin: “Për mua, çdo kampionat ka një kuptim të veçantë. Sezoni 2024 është një nga kampionatet për të cilat jam më krenar, pa dyshim. Mënyra se si i kemi menaxhuar situatat dhe kemi optimizuar performancën e makinës ka qenë për t’u vlerësuar”, theksoi piloti me numrin 1 në Formula 1.
Sigurisht, beteja e vitit 2021 me Luis Hamiltonin, asokohe pilot i Mercedesit, mbetet një nga momentet më të paharrueshme për të gjithë tifozët e F1. Por a i mungon përballja me anglezin? “Jo… të thuash që më mungon është pak e ekzagjeruar. Por e kam vlerësuar shumë atë duel”, u përgjigj Vershtapen. Në datën 30 shtator, Maksi do të mbushë 28 vjeç. Ende është herët për të menduar për jetën pas Formula 1, por disa gjëra duket se i ka të qarta: “Dakar ose 500 Miljet e Indianapolis? Nuk më tërheqin. Janë gara shumë të vështira. Në Formula 1 ke rrezikuar mjaftueshëm për vite me radhë. Të marrësh një tjetër rrezik në një moment kur, sipas meje, nuk ia vlen më, nuk ka kuptim”, përfundon piloti i Red Bullit.
© BalkanWeb