Mbahet sot Konferenca e 6-të Ndërqeveritare me BE, Shqipëria hap 4 grup-kapitujt e radhës (AXHENDA)

Shqipëria do të hapë sot edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku me ftesë të Danimarkës mbahet Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE.

Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë kapitujt 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).

Takimi në Bruksel pritet të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.

Sipas agjendës Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 dhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së do të pasojë në orën 10:00.

Fillimisht pritet që paklët të nisin me miratimine axhendës, duke miratuar procesverbalet e KNQ-ve të mëparshme të mbajtura në prill dhe maj të këtij viti.

Kjo do të pasohet nga fjalimet hapëse, së pari nga ministrja e Danimarkës Bjerre në emër të presidencës së Këshillit të BE-së, pastaj nga kryeministri Rama dhe hapja e negociatave për grupin 4.

Ministrja e Danimarkës do të paraqesë të ashtuquajturin “Qëndrim të Përbashkët të BE-së”, siç është rënë dakord nga BE-ja, dhe do t’i kërkojë kryeministrit Rama nëse Shqipëria mund të bjerë dakord me hapjen e këtij grupi.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos do të japë gjithashtu vërejtjet e saj në këtë drejtim. Kryeministri Rama do të paraqesë qëndrimin e Shqipërisë.

Në fund do të ketë disa fjalime të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama, me të cilat takimi do të përfundojë zyrtarisht.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×