Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet”
Si pasojë janë arrestuar dy shtetas të identifikuar si Denis Isallari dhe Denajd Sterkaj, pasi të maskuar dhe nën kërcënimin e një sendi të ngjashëm me armë zjarri, vodhën me dhunë lekët e xhiros ditore në një karburant.
Blutë kanë sekuestruar sendin që u përdor për kanosje, maskat dhe veshje të tjera të përdorura gjatë krimit, paratë e vjedhura, automjetin me targa të mbuluara që përdorën dy shtetasit, si dhe celularët në cilësinë e provës materiale.
Njoftim i Policisë:
Menjëherë pas njoftimit të marrë për vjedhjen me dhunë të ndodhur në një karburant në Librazhd, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, Komisariatin e Policisë Librazhd dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative dhe koordinimit në kohë reale të shërbimeve, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Hijet”.
Në kuadër të operacionit, pak minuta pas ngjarjes, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e dy autorëve të dyshuar: shtetasit D. I., 23 vjeç, dhe D. S., 19 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 15.09.2025, rreth orës 23:00, shtetasit D. S. dhe D. I., të cilët qarkullonin me një automjet me targa të mbuluara, kanë shkuar në karburantin në hyrje të Librazhdit. Të maskuar dhe me një send të ngjashëm me armë zjarri pistoletë, ata kanë kanosur punonjësin e subjektit, i kanë marrë xhiron ditore dhe janë larguar me shpejtësi.
Pasi janë larguar nga vendngjarja, për të fshehur autorësinë, kanë hedhur në shkurret e fshatit Mirakë sendin e përdorur për kanosje, maskat dhe veshjet e tyre.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e këtyre sendeve, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lekët e vjedhura, celularët dhe automjetin e shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
© BalkanWeb