
Tirana ka peshkuar një kundërshtar aspak të lehtë në Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë do të përballen me Laçin, një skuadër që historikisht u ka shkaktuar jo pak probleme kryeqytetasve, sidomos në këtë kompeticion.
Përballjet mes dy ekipeve në Kupë kanë prodhuar rivalitet, rezultate të ngushta dhe madje edhe një përmbysje të rëndësishme nga ana e Tiranës. Që prej vitit 2012, Tirana dhe Laçi janë përballur në dy raste në Kupën e Shqipërisë, ku secila skuadër ka arritur të sigurojë një herë kualifikimin. Bilanci i këtyre përballjeve tregon se kurbinasit kanë qenë një kundërshtar i vështirë për bardheblutë, duke i eliminuar në sezonin 2014-2015, ndërsa katër vite më vonë ishte Tirana që arriti të merrte hakun sportiv, duke përmbysur humbjen e ndeshjes së parë.
Përballja e parë në këtë periudhë u zhvillua në sezonin 2014-2015. Në ndeshjen e parë, të luajtur më 8 prill 2015, Tirana dhe Laçi u ndanë në barazimin 0-0. Gjithçka mbeti e hapur për sfidën e kthimit, ku kurbinasit arritën të fitonin 1-0, më 22 prill, duke siguruar kështu kualifikimin në turin tjetër. Një eliminim që tregoi se Laçi dinte t’i hapte probleme skuadrës kryeqytetase në ndeshjet me eliminim direkt.
HAKMARRJA – Katër vite më vonë, dy ekipet u rikthyen përballë njëra-tjetrës në Kupën e Shqipërisë, këtë herë në sezonin 2018-2019. Edhe në këtë përballje, Laçi arriti të fitonte ndeshjen e parë, me rezultatin 2-0, më 13 mars 2019. Tirana gjendej përballë një misioni të vështirë, pasi duhej të përmbyste një disavantazh prej dy golash për të vazhduar rrugëtimin në kompeticion. Megjithatë, bardheblutë reaguan në mënyrën më të mirë të mundshme. Në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar më 3 prill 2019, Tirana fitoi me rezultatin 3-0, duke përmbysur gjithçka dhe duke siguruar kualifikimin. Një sukses që mbetet një nga momentet më të rëndësishme të rivalitetit të tyre në Kupë, pasi kryeqytetasit arritën të rikuperonin diferencën e krijuar në ndeshjen e parë dhe të eliminonin kurbinasit.
Në total, në katër ndeshjet e zhvilluara mes tyre në këto dy edicione të Kupës, Laçi ka regjistruar dy fitore, Tirana një, ndërsa një takim është mbyllur në barazim. Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se golavarazhi është plotësisht i barabartë, 3-3. Kjo tregon se, pavarësisht rezultateve të ndryshme, përballjet mes dy skuadrave kanë qenë të ekuilibruara.
Kështu, shorti i Kupës i rezervon Tiranës një rival që e njeh mirë dhe që në të kaluarën i ka shkaktuar vështirësi. Laçi ka treguar se është në gjendje të eliminojë bardheblutë, por Tirana ka gjithashtu një precedent pozitiv, duke dëshmuar se mund të përmbysë edhe disavantazhe të vështira. Për këtë arsye, përballja e radhës pritet të jetë një tjetër provë serioze për skuadrën kryeqytetase në objektivin për të vijuar më tej në Kupën e Shqipërisë.
and then