Një vrasje e rëndë ndodhi më 16 maj 2024 në zonën e Akarnes, në Atikë të Greqisë. Sipas Prokurorisë, autori – një 51-vjeçar – u drejtua në banesën e ish-bashkëshortes së tij 40-vjeçare në Menidi, duke fshehur një thikë nën rrobat e tij. Rreth orës 6 të mëngjesit, në momentin kur gruaja po dilte nga shtëpia për të shkuar në punë, ai e sulmoi dhe e goditi me thikë më shumë se 14 herë. Viktima humbi jetën në vend si pasojë e plagëve të shumta. Sipas raportimeve të gazetës Protothema, ekspertët mjeko-ligjorë konstatuan dëmtime të rënda nga arma e ftohtë në pjesë të ndryshme të trupit.
Sot nisi gjyqi ndaj të pandehurit para Gjykatës së Përzier me Juri, ku vajza e viktimës – njëherazi edhe vajza e autorit të dyshuar – u paraqit në mbështetje të akuzës.
Megjithatë, seanca u shty për shkak të mungesës së 51-vjeçarit në sallë. Siç u bë e ditur, ai nuk u transferua nga burgjet e Larisës në Gjykatën e ish-shkollës Evelpidon për mungesë të një urdhri të nevojshëm nga prokuroria përkatëse. Autoritetet gjyqësore po përpiqen të shmangin tejzgjatjen e procesit, për të mos rrezikuar skadimin e afatit 18-mujor të paraburgimit.
© BalkanWeb