Refuzoi votimin e komisioneve parlamentare, Braçe rendit arsyet: Klienteliste dhe të personalizuara

Deputeti i PS-së, Erion Braçe nuk votoi për 11 komisionet e reja parlamentare gjatë seancës së të martës në Kuvend. Ai argumentoi dy arsye kryesore për refuzimin e tij.

Së pari, Braçe u shpreh se nuk ishte dakord me mungesën e ngritjes së komisionit për çështjet e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, që ishte pjesë e strategjisë së miratuar nga legjislatura e kaluar. Ai theksoi se ky komision ishte parashikuar qartë në dokument, por tani ishte lënë jashtë listës së komisioneve të reja, pavarësisht rëndësisë së çështjes për sigurinë dhe integritetin e vendit.

Së dyti, Braçe kritikoi përzgjedhjen e komisioneve, të cilat sipas tij ishin të personalizuara dhe klienteliste, duke theksuar se nuk kishte kërkuar asnjë pozicion personal brenda tyre.

“Lidhet me atë punë që u bë në vitin e fundit të legjislaturës së shkuar këtu në Kuvend për çështjet e dezinformimit, keqinformimit, ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri dhe në ekonomi. Kjo këtu është strategjia, dokumenti më i mirë që Kuvendi mund të ketë miratuar gjatë legjislaturës së shkuar. Një strategji e hartuar jo vetëm me ekspertë vendas, por edhe me asistencën e plotë të Komisionit Europian, të Bashkimit Europian, të OSBE edhe të shumë faktorëve të tjerë të rëndësishëm që e kanë prioritet çështjet e dezinformimit, keqinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse. Për një periudhë kohe e kishim dhe ne, u mor me vrull të madh, u thirra unë, duhet ta bësh ti këtë gjë se ti di ta bësh. Pastaj as ndihmoi kush, as foli kush, as e lexoi kush dhe as e vlerësoi kush punën që u bë dhe dokumentin që u miratua. Por në udhërrëfyesin që shoqëron dokumentin, thuhet qartë dhe është votuar në Kuvend që do të ketë një komision parlamentar pikërisht për këtë çështje. Tani që gjithë puna e bërë, dokumenti po vlejnë si shembull edhe për vende rreth e qark nesh, tani zhduket propozimi, zhduket komisioni”, tha ai.

Arsyeja e dytë, për deputetin Braçe, lidhet me komisionet e reja, për të cilat thotë se nuk është dakord dhe duken të jenë klienteliste. “Arsyeja e dytë, patjetër që isha kundër asaj liste komisionesh që m’u duk thuajse e personalizuar dhe klienteliste në kushtet kur parimisht një komision i vlerësuar si i domosdoshëm zhduket nga ajo listë. Unë nuk kisha absolutisht asnjë pretendim personal. Nuk i kërkova kujt, për më tepër atij që vendos për të tilla gjëra që të isha unë kryetari i këtij komisioni apo i ndonjë komisioni tjetër. Unë mendoj që çështja e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri, ekonomi e zgjedhje, është një çështje që nuk ka ndryshuar. Kjo ishte arsyeja”, pohoi deputeti. Komisionet e reja u miratuan në Kuvend me 79 vota pro, prej të cilave 7 do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×