Gazetari dhe analisti Erl Murati, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, duke analizuar situatën e krijimit të qeverisë së re në mandatin e katërt të Partisë Socialiste dhe të kryeministrit Edi Rama, si dhe situatën brenda opozitës në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës.
Sipas Muratit, zgjedhjet vendore dhe dinamika e tyre varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga situata e përgjithshme politike në vend dhe nga forca që vjen nga qeverisja qendrore.
“Zgjedhjet vendore varen nga situata e përgjithshme dhe qeverisja qendrore. Ka të bëjë shumë personi që vendos opozita,” tha ai.
Murati përmendi si emër potencial Jorida Tabakun, e cila sipas tij do ta bënte garën shumë më konkurruese, por që besohet se e ka refuzuar kandidimin.
Në lidhje me kandidaturën e Ogerta Manastirliut nga PS, Murati theksoi se ajo nuk do të jetë vetëm në këtë garë, pasi “makineria shtetërore dhe Partia Socialiste do të vihen tërësisht në funksion të fitores së saj”.
Ai theksoi se Partia Socialiste sapo ka dalë nga një fitore e thellë në zgjedhjet parlamentare, dhe se përballë saj qëndron një opozitë që nuk ka reflektuar dhe nuk është treguar konkurruese.
“Opozita sulmon garën, por nuk është e ndërgjegjshme që kryeministri këtu është personi më i dashur për shqiptarët, duam apo jo, kemi apo jo kritika,” – tha Murati.
Ai citoi edhe një sondazh të vetë News24, ku Rama rezultonte si politikani më i besueshëm për shqiptarët pak para zgjedhjeve të 11 majit.
“Gara është e pabarabartë, por ekipi i opozitës vijon në një situatë ku nuk shfaqet kompetitiv. Ekipi humbës duhet të ndryshojë lojtarët, përndryshe përfundimi i ndeshjes dihet,” – u shpreh analisti.
Në përfundim, Murati theksoi se sa kohë që Rama vazhdon të marrë mandate dhe të fuqizohet, opozita nuk mund të bazohet vetëm te narrativi se shqiptarët nuk e duan Ramën.
“PS ka korrur një nga fitoret më të thella. Ekipi humbës duhet të merret më shumë me veten dhe jo me skenarë të tjerë,” – përfundoi ai.
© BalkanWeb