Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini janë paraqitur sot para trupës gjykuese për t’u njohur me masën e sigurisë, në kuadër të hetimeve për skemën mashtruese të investimeve përmes platformës “XUEX”.
Një ndër të arrestuarit është Emanuel Taullau, kamarier në lokalin “La Bonta” në Lushnjë, i cili dyshohet se kishte kthyer ambientin e punës në një “bazë” ku qytetarë të shumtë josheshin për të investuar para në skemën mashtruese.
Nëna dhe tezja e tij, të pranishme në gjykatë, kanë reaguar për mediat, duke thënë se nuk ishin në dijeni të paligjshmërisë së veprimeve dhe se paratë i kishin dhënë vetë me qëllim që ai të kishte kursime.
Nëna e Emanuelit: “Pse u arrestua çuni im? Nuk kishte koka më të mëdha aty? Drejtore, ekonomiste… të gjithë e dinë! Moj, unë vetë ia dhashë lekët. I thashë: luaj të kesh ndonjë lek për vete. Kishte dy-tre muaj që luante. Një milion i dhashë, fitim nuk morëm, dua vetëm të më vijë çuni. Nuk e dinim që ishte e gabuar.”
Tezja: “U habitëm! Ne nuk dimë asgjë. Djali punonte, ishte kamarier. Avokatin e kemi marrë vetë. Dikush duhet t’i paralajmëronte që kjo ishte e gabuar.”
Sipas dosjes së Prokurorisë, Emanuel Taullau, përveç punës së tij si kamarier, është identifikuar si person i përfshirë aktivisht në promovimin e platformës XUEX, duke ftuar persona të tjerë që të bëhen pjesë e saj dhe të investojnë shuma të mëdha parash.
© BalkanWeb