Liverpool siguron fitoren në ndeshjen e pare të fazës së ligës në “Anfield Road” vetëm në kohën shtesë ndaj Atletico Madrid 3-2. Ndeshja u mendua se u hipotekua nga të besuarit e Arne Slot, kur e pane veten në avantazh të dyfishtë shumë shpejtë brenda 6 minutave lojë. Fillimisht pas një goditje dënimi e një rrëmuje në zone Robertson devijon topin duke lënë të shtangur Oblak, ndërsa 2 minuta më vonë ishte egjiptiani Mo Salah që shënon një gol tipik të tijin teksa me një diagonale me të majtën i çon shifrat 2-0.
Megjithatë Atletico Madrid nuk u dorëzua teksa Marcus Llorente do të shënonte një dopietë fillimisht në sekondat e fundit të pjesës së parë, si dhe 9 minuta nga fundi i ndeshjes duke barazuar në 2-2. Por atëherë kur u mendua se shenja X do të ishte verdikti final, në minutën e dytë të shtesës pas një këndoreje Virgil Van Dijk kërcen mbi të gjithë e me kokë e ndal topin në rrjetë. Përfundimisht 3 pikë të çmuara me shumë vuajtje për “The Reds” që janë padyshim favoritët kryesorë për të shkuar në Budapest mbrëmjen e 31 Majit të vitit të ardhshëm.
Slot u shfaq tepër i lumtur pas suksesit 3-2 të ekipit të tij në fund të përballjes: “Nëse do të mundësh një ekip si Atletico Madrid, atëherë ti duhet ta mundësh duke përdor armën e tyre, pasi ata kanë një mentalitet të pabesueshëm. Duhet të kishim menaxhuar më mirë ndeshjen pas rezultatit 2-0 si dhe të shfrytëzonim më mirë rastet që kishim për të mbyllur ndeshjen”.
Në krahun tjetër Diego Simeone u pa tepër i nervozuar pas ndeshjes teksa madje u ndëshkua edhe me karton të kuq pasi tentoi të konfliktohej me një prej tifozëve të Liverpool që u mundua ta ironizonte në përfundim të takimit. Vetë Simeone e komentoi kështu këtë përballje: “Reagimi im në fund të ndeshjes nuk mund të justifikohet, gabova pasi do duhet të mbaja pozicionin tim, por edhe ne trajnerët njerëz jemi mund të nevrikosemi kur na ofendojnë pa pushim. Megjithatë ju kërkoj ndjesë të gjithëve”.
© BalkanWeb