Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, me fokus në situatën e opozitës dhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, Partia Demokratike ndodhet në një gjendje të rëndë, të demoralizuar dhe pa një strategji të qartë për të përballuar Partinë Socialiste në garën për kryeqytetin.
Toska e cilësoi opozitën si “të vdekur” dhe “amorfe”, duke theksuar se ajo ka humbur rolin e saj kritik dhe nuk është në gjendje të përfaqësojë qytetarët. “Opozita sot është e vdekur, amorfe. Vetëm Sali Berisha dhe Gazment Bardhi bëjnë opozitë”, tha ai, duke kritikuar ashpër sjelljen e PD.
Ai akuzoi kryeministrin Rama se po e trajton opozitën si një kundërshtar të dobët, duke u përpjekur të mos përballet personalisht me të: “Rama do vendosë përballë grupeve parlamentare të opozitës Zegjinenë, nuk dëshiron të merret vetë.”
Në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë, Toska zbuloi disa nga emrat që janë përmendur si kandidatë potencialë të PD-së përballë Ogerta Manastirliut, e cila do të jetë zgjedhja e PS-së. Sipas tij, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku kanë refuzuar të kandidojnë, ndërsa përmenden emra si Adriana Kalaja dhe Klevis Balliu.
“Të gjithë emrat që janë përmendur tregojnë se këta njerëz nuk kanë garanci të fitojnë sepse e kuptojnë që gjendja në PD është e mjerueshme. Strukturat janë të demotivuara, kanë 16 vite në opozitë. Kanë ngelur emra që të vjen të vësh duart në kokë”, deklaroi Toska.
Ai theksoi se opozita duhet të rikthehet pranë qytetarëve, të flasë me gjuhën e fakteve dhe të përqendrohet në denoncimin e korrupsionit. “Berisha duhet të bëjë tur në çdo qytet dhe të jetë pranë qytetarëve. Opozita duhet të shkojë te qytetarët, jo të merret me hallet e veta”, tha ai.
Toska gjithashtu kritikoi mënyrën e reagimit të opozitës në Parlament, duke thënë se veprimet e saj janë jo konstruktive: “Duhej të kërkonin interpelancë deri në mëngjes, të dilnin me raporte konkrete për qeverinë. Jo me çmenduri dhe veprime jo demokratike.”
© BalkanWeb