Pas zhvillimeve të tensionuara në seancën plenare për miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një letër zyrtare Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, ku denoncon një “situatë të paprecedentë dhe antikushtetuese”, që sipas opozitës, ka shënuar një prej momenteve më të rënda për jetën parlamentare dhe rendin demokratik në vend.
Letra, e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i drejtohet ambasadorëve dhe përfaqësuesve të huaj në Tiranë dhe ka në fokus zhvillimet e sotme në Kuvend, që PD i konsideron si “shkelje flagrante të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe çdo norme të praktikës demokratike”.
Sipas PD-së, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit janë përgjegjës për pengimin e qëllimshëm të debatit parlamentar, në një seancë që sipas tyre ishte e orkestruar për të provokuar opozitën dhe për të minimizuar rolin e saj në jetën politike të vendit.
“Për herë të parë në 35 vite pluralizëm, debati parlamentar u ndërpre në mënyrë të qëllimshme dhe antikushtetuese. U shkelën të gjitha normat e funksionimit demokratik të Kuvendit,” thuhet në letër.
PD thekson me shqetësim faktin se fjalimi i Kryeministrit Rama u ndërpre për të transmetuar një video nga një figurë virtuale, e ashtuquajtura “Ministrja e Inteligjencës Artificiale Diella”, duke u konsideruar si një akt propagandistik i pashembullt në historinë e legjislaturës shqiptare.
“Në historinë e parlamentarizmit shqiptar, asnjëherë nuk është ndodhur që Kryeministri të ndërpresë fjalën e tij për të transmetuar një video të inskenuar, duke shmangur debatin real mbi programin e qeverisë,” thekson letra.
Partia Demokratike akuzon gjithashtu Kryetarin e Kuvendit për zbatimin e standardeve të dyfishta procedurale, duke i mohuar kreut të grupit të PD-së të drejtën për të marrë fjalën, ndërsa i ka dhënë atë dy herë radhazi përfaqësuesit të shumicës.
Po ashtu, PD denoncon mbylljen e seancës pa zhvilluar debat parlamentar, duke e cilësuar një vendim të paligjshëm dhe antikushtetues, në shkelje të nenit 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit.
Në fund të letrës, PD shpreh shqetësimin se Kuvendi po kthehet në një zgjatim të Këshillit të Ministrave, pa asnjë funksion kontrolli mbi qeverinë dhe ligjet që shqyrtohen.
“Jemi përballë një përpjekjeje për të delegjitimuar institucionin përfaqësues më të lartë të qytetarëve shqiptarë,” thuhet në letër.
Opozita i bën thirrje përfaqësuesve diplomatikë të ndjekin me kujdes këto zhvillime, të cilat, sipas saj, rrezikojnë seriozisht demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Shqipëri.
© BalkanWeb