Çështja e shantazhit ndaj një punonjësi policie në Këlcyrë ka marrë një tjetër kthesë të rëndë, pas zbulimeve të reja të bëra gjatë hetimeve të Prokurorisë së Gjirokastrës. Nga dosja hetimore del se në qendër të kësaj ngjarjeje të ndërlikuar ndodhet një vajzë 16-vjeçare, e cila ka qenë në kontakt me disa prej personave të përfshirë, përfshirë edhe dy efektivë policie.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet nisën pas publikimit të një informacioni në një faqe lokale lajmesh, që solli në vëmendjen publike dyshime për ngacmim ndaj një të miture. Policia, pas verifikimeve të menjëhershme, identifikoi njërin nga efektivët e përmendur në publikim, A. A., oficer i patrullës së përgjithshme në Tepelenë.
Ai u mor në pyetje, telefoni i tij u sekuestrua, por më pas ai u la i lirë, çka i dha mundësinë të largohej drejt Greqisë, duke i shmangur autoriteteve shqiptare hetimin e mëtejshëm. Aktualisht është shpallur në kërkim.
Në këtë çështje është përfshirë edhe P. B., oficer patrulle në Përmet dhe njerku i vajzës. Nga dëshmia e të miturës në polici, ai dyshohet se ka pasur sjellje të papërshtatshme ndaj saj. Ajo ka deklaruar se është ngacmuar në mënyrë të përsëritur, një fakt që ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës.
Ndërkohë, vajza ka qenë në lidhje me një person 46-vjeçar, K. P., i cili bashkë me një shok të tij I. P., dyshohet se ka ushtruar shantazh ndaj policit A.A., duke i kërkuar një shumë prej 12 milion lekësh të vjetra në këmbim të mos-publikimit të një videoje intime, të regjistruar përmes telefonit. Shuma më pas u ul në 10 milion lekë. Të dy këta persona janë arrestuar.
Raportohet se më shumë se një muaj më parë, efektivi A.A. është përpjekur ta “mbyllë” historinë përmes kontakteve me familjen e të dashurit të vajzës, por pas publikimit skandali doli në dritë.
Aktualisht, në pranga janë njerku i të miturës (P.B.), i dashuri i saj (K.P.) dhe shoku i këtij të fundit (I.P.), ndërsa efektivi A.A. është në kërkim. Policia dhe Prokuroria kanë deklaruar se hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje me përmasa shqetësuese.
© BalkanWeb