Fjalimi i Diellës në Parlament/ “Iu ndal fjala opozitës për robotin”, Balliu: Turp për deputetët e PS, ulën kokën dhe e pranuan në heshtje

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar zhvillimet e sotme në seancën parlamentare, e cila zgjati vetëm 25 minuta, ndonëse ishte parashikuar si një seancë maratonë për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Balliu deklaroi se ajo që ndodhi në Kuvend nuk mund të quhet më proces demokratik dhe se shkelja e Kushtetutës është bërë në mënyrë flagrante, pa asnjë përgjegjësi institucionale.

“Kemi kohë që drejtohemi nga dikush që nuk mund ta quash më qeveri. Po nënvlerësojmë ngjarje të mëdha. Shkallmimi i Kushtetutës nuk kalon lehtë. Në çdo vend tjetër të botës do të kishte reagime të jashtëzakonshme,” tha Balliu.

Ai u ndal veçanërisht te përdorimi i ministres “robot” Diella, nga ana e Kryeministrit për të komunikuar me Kuvendin dhe opinionin publik, duke e cilësuar këtë një akt tallës dhe absurd.

“Fakti që opozitës nuk iu lejua fjala, ndërsa në vend të Kryeministrit flet një robot që thotë ‘u ndjeva e lënduar’, është çmenduri. Që kur kanë ndjenja robotët? Ne nuk jemi pupacë,” u shpreh ai.

Balliu kritikoi ashpër edhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët sipas tij “ulën kokën” dhe “pranuan në heshtje” këtë zhvillim.

“Ishte turp për ata deputetë që ulën kokën kur foli roboti. Kjo është bërë me qëllim: të shmanget çdo debat parlamentar dhe të mbyllet çdo zë kritik,” – shtoi ai.

Deputeti demokrat ngriti shqetësime edhe për mungesën e përmbajtjes në programin e ri qeverisës, duke theksuar se ai nuk përmban asgjë për jetën reale të qytetarëve.

“Në atë program nuk ka asgjë për qytetarët. Rama kërkon errësirë totale në Kuvend. Ky është i vetmi parlament që zyrtarisht kërkon kufizimin e mediave. Ne si opozitë kemi vetëm fjalën në dorë,” tha Balliu.

Në fund, ai shtoi me ironi: “Qytetarët pyesin çfarë do bëhet me jetët e tyre. Tani po na dalin edhe me gjini të reja… Allahu na ruajtë,” duke i bërë thirrje publikut që të mos e pranojë këtë gjendje si normale.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×