Një tjetër rast i veprimtarive të paligjshme është goditur nga policia në kryeqytet, këtë herë në një lokal në rrugën “Mikel Maruli”. Si rezultat i operacionit të koduar “Multiple”, u arrestua një shtetas, një tjetër u shpall në kërkim, ndërsa pronari i lokalit po procedohet penalisht në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, ndërhynë në ambientet e lokalit pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Të ndaluarit dhe masat e marra:
-Roland Uka, 34 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë pasi u kap duke vendosur baste sportive përmes celularit të tij, brenda lokalit.
-E. P. (T.), 32 vjeç, u shpall në kërkim, pasi në një çantë të lënë në ambientet e lokalit u gjet një sasi lënde narkotike, e dyshuar si kokainë. Policia vijon punën për kapjen e tij.
-I. K., 32 vjeç, pronari i lokalit, po procedohet penalisht në gjendje të lirë, pasi kishte vënë ambientin në dispozicion të veprimtarive të paligjshme.
Gjatë kontrollit, efektivët sekuestruan:
-Një sasi kokainë;
-Një celular, me të cilin kryheshin bastet sportive;
-Disa mjete identifikimi, të cilat janë nën verifikim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb