Kryeministri Edi Rama, teksa ka prezantuar ministren e re të Brendshme Albana Koçiu, ka theksuar nevojën për një reformë të thellë në administratën e Ministrisë, duke kritikuar qasjen e deritanishme dhe duke kërkuar ndryshime të thella në menaxhimin e punëve të brendshme.
Ai ka vënë në dukje se administrata e Ministrisë së Brendshme dhe e Ministrisë së Jashtme “jeton në një kohë orare tjetër”, dhe se duhet një qasje ndryshe për të përmirësuar funksionimin e këtyre institucioneve. Rama foli gjithashtu për nevojën e rritjes së nivelit të edukimit dhe arsimimit të trupës policore, duke e cilësuar këtë si një çështje kyçe për Ministrinë e Brendshme.
Kryeministri kërkoi gjithashtu një reformë për prefekturat, të cilat, sipas tij, kanë humbur peshën dhe nuk po japin ndikim në përmirësimin e punëve të brendshme. Ai theksoi se “koha e injorantëve në drejtim” ka përfunduar dhe se Ministria e Brendshme duhet të ngrihet në një nivel më të lartë profesional.
Edi Rama: Administrata e Ministrisë së Brendshme dhe e Ministrisë së jashtme jetojnë në një kohë orare tjetër. Nuk është kjo ajo që na duhet në administratë. Duhet ndryshuar qasja e administratës, në një drejtim që kërkon të shihen ndryshe punët e brendshme, e kjo është një domosdoshmëri. Arsimimi dhe edukimi i trupës policore është një çështje e Ministrisë së Brendshme. Prefekturat janë sot institucione që kanë humbur peshën. Na duhet një reformë për prefekturat.
Këtë reformë do ta udhëheqë ministrja e Brendshme dhe ministri për Pushtetin Vendor, që të na përcaktojnë planin se a na duhen Prefekturat apo jo dhe në çfarë forme. Mos të jenë ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e Brendshme të jetë afër zeros. AMP është strukturë e pavarur nga Policia e Shtetit. Ka ndërtues pa leje që thonë se e ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit është i amnistuar. Kemi edhe drejtues falsifikator, sidomos te Legalizimet. Ka drejtues injorantë e koha e tyre do marrë fund. Ministria e Brendshme duhet të ngrihet në nivelin e duhur.
© BalkanWeb