Mirel Çokaj, shtetasi nga Malësia e Madhe që humbi jetën në një terren të thepisur malor sipas të afërmve të tij nuk është rrëzuar në mënyrë aksidentale siç pretendon policia, por 40 vjeçari është vrarë nga dikush atje.
Rifat Çokaj, një ish oficer policie me banim në Amerikë, ka bindje se kushëriri i tij merrej me drogë në një zonë të thellë të Malësisë së Madhe bashkë me 4 persona të tjerë dhe se njëri prej tyre e ka shtyrë drejt humnerës duke e vrarë Mirel Çokajn.
“Mireli në atë zonë ka dalë për punë. Edhe policia e di se për çfarë pune por për opinionin publik po e them se ka dalë për parcelat e drogës atje.
Nuk e di se cila është arsyeja që policia nuk ka ushtruar kontroll në zonën ku është nisur kufoma por thjeshtë janë mjaftuar duke gjetur kufomën.
Me të vërtetë ka rënë nga një lartësi 70 apo 100 metër por me kë ka qenë sepse ai nuk ka qenë vetëm dhe jam i sigurtë për këtë. Personi që ka njoftuar se Mireli nuk përgjigjet në celular, është shok apo ortak i tij? thotë për News4, Rifat Çokaj, kushëri i viktimës.
Sipas tij, i ndjeri Mirel Çokaj, tokat i ka patur poshtë në Grudë Fushë, ograjat i ka në Grudë Fushë po ashtu.
“Ne nuk na ka lënë asgjë as babai as gjyshi në Kelmend. Atje ka qenë për parcel droge. Të shkojnë ta verifikojnë dhe do ta gjejnë dhe nuk kanë për të gjetur pak por shumë. A kanë për ta gjetur të korrur apo të pa korrur këtë nuk e di sepse po i japin kohë për ta korrur. Edhe nëse e gjejnë të korrur aty duket se ka patur drogë”, thotë Rifati i cili duke folur nga SHBA, tregon me emër konkret një prej bashkëpunëtorëve të viktimës Mirel Çokaj.
Ajo që kërkojnë të afërmit dhe familja e 40 vjeçarit që u gjet në humnerë i pajetë është hetimi i plotë i kësaj ngjarje të rëndë.
“E kanë mbytur për të mos i dhënë pjesën e vet, hakun që i takonte. Është detyra e organeve ligjzbatuese për të hetuar.
Do e hetoj privatisht me sa forcë që të kem unë dhe të tjerët por këta e kanë për detyrë që ta hetojnë dhe jo t’i ledhatojnë. Çfarë ka dashur ai njeri atje, me kë ka qenë, ku ka fjetur se nuk ka qenë nata e parë që ka qenë atje as dita e parë”, thotë kushëriri i Mirel Çokajt.
Policia njoftimin për konstatimin e viktimës Mirel Çokaj në një humnerë në Kozhnje të Malësisë së Madhe e ka marrë mëngjesin e 18 shtatorit ndërsa 24 orë më pas u bë e mundur nxjerrja e trupit përmes Forcave të Ushtrisë që erdhën me një helikopter.
Deri më tani policia e ka cilësuar si aksidentale ngjarjen por familjarët kanë dyshime të forta se 40 vjeçari është vrarë nga dikush për shkak të parcelave të drogës.
© BalkanWeb