Deputeti i PD-së, Edi Paloka teksa nuk e mohoi se dhe brenda demokratëve ka inate, armiku i përbashkët sipas tij është Rama.
Në një intervistë përballë gazetares Nisida Tufa në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Paloka tha se në çdo parti ka ulje ngritje, ndërsa shtoi se ndikon dhe fakti që PD është prej 12 vitesh në opozitë.
“Denoncimi i farsës elektorale është domosdoshmëri. Analiza brenda PD, mund të shkonte paralelisht, por mund të merreshin njerëzit me njëri-tjetrin. Ndaj u vendos që mos të bëheshin paralelisht të dyja. Ka inate dhe brenda përbrenda. Ka nga ata që thonë; shyqyr që erdhi rasti që t’ia plas këtij’. 30 vite të mira, të këqija, situata pozitive dhe negative, për mua. Se dhe unë kam pasur ulje ngritje. S’jam nga ana që them; partia e para dhe pastaj ne të vdesim. E vetmja gjë që më dëshpëron mua dhe shumicën e demokratëve është kjo; një situatë absurde që duhet t’i japim zgjidhje. Demokratëve, atyre që e duan PD dua tu them; nuk janë armiqtë demokratët, por armiku është Rama. Nga dëshpërimi duket se gjuajmë njëri-tjetrin, por me këtë i japim kënaqësi atij tjetrit. Situata të tilla krijojnë dhe kushte jo pozitive dhe brenda një force, 12 vite në opozitë. Shumica e demokratëve mezi sigurojnë bukën e gojës. Vjen Rama dhe ka fshirë gjithë demokratët. Janë me kokrra demokratët në administratë. Ndryshimet në PD duhet të vinë normalisht. Zgjedhjet u manipuluan, u vodhën.”, tha ai.
Duke u ndalur te fakti nëse PD ka gabime, Paloka tha; “nuk janë ato gabime që përcaktuan këtë rezultat (Zgjedhjet), por është Rama ai që e bëri këtë gjë. Kam qenë kundër votës së emigrantëve, pasi e dija se çfarë do të ndodhte. Ne kështu po i japim në dorë një formë drejt manipulimit, -këtë gjë kam thënë. Ka shumë gjëra që duhet të rregullojmë, nuk është vetëm çështje emrash. S’do ta lë luftën!”.
© BalkanWeb