Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar si zyrtaren më të korruptuar në 35 vitet e fundit në shtetin shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se në SPAK janë depozituar “kilogramë prova” për aferat ku, sipas tij, është e përfshirë Balluku, por se organi i drejtësisë nuk ka treguar guxim për të hetuar me profesionalizëm dhe paanësi.
“Belinda Balluku është zyrtari më i korruptuar në këto 35 vite të shtetit shqiptar, me prova të pakundërshtueshme të dorëzuara në SPAK. Për fat të keq, deri më tani, SPAK na ka treguar se nuk ka guxim të përballet me të,” u shpreh Bardhi.
Duke iu referuar denoncimit të fundit të kryetarit të opozitës, Bardhi ngriti dyshime serioze mbi shantazhin dhe sulmet ndaj prokurorit të posaçëm, Dritan Prençi.
“Qytetari dixhital informon se Lubi Balluku lakohet shumë në bisedën telefonike të një biznesmeni me një person tjetër. Lakohet për një tender në të cilën Lubi Balluku, sipas biznesmenit ka kërkuar një përqindje të majme për të akorduar tenderin”, tha Berisha më parë.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Belinda Balluku është zyrtari më i korruptuar në këto 35 vite i shtetit shqiptar, me kg prova të depozituara në SPAK. Për fat të keq deri më tani SPAK na ka provuar se nuk ka guxim për të hetuar me profesionalizëm dhe paanësi aferat ku është e përfshirë Belinda Balluku.
Pas denoncimit të Kryetarit të Opozitës, pyetja ime për SPAK është:
– A është ky videoregjistrim arsyeja e shantazhit dhe sulmeve ndaj prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, siç bëjnë me dije burime të mirëinformuara?
– Kush po e pengon dhënien rrugë të një hetimi të përfunduar për Belinda Ballukut dhe përgjegjësinë e saj për disa afera korruptive?
Përgjegjësia për aferat korruptive mund të zvarriten, mund të vonohen, mund të pengohen për pak kohë, por kurrë nuk mund të fshihen.
© BalkanWeb